Unë kam paralajmëruar gjatë periudhës së kaluar se do të ketë shpërndarje të tokës bujqësore dhe tashmë të gjitha procedurat zyrtare janë përfunduar, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski nga Prilepi.
“Në periudhën e ardhshme, pra javën e ardhshme, do të shpallen gjithsej pesë Thirrje publike për shpërndarjen e tokës bujqësore të lirë”, shtoi Tripunovski, duke iu përgjigjur pyetjeje nga gazetarët.
Ai theksoi se qëllimi i shpërndarjes së tokës është rritja e produktivitetit dhe prodhimit në vend.
“Prej këtyre pesë Thirrjeve publike, njëra do të jetë për legalizimin e mbjelljeve shumëvjeçare ekzistuese. Me këtë aktivitet, dëshirojmë ta vendosim të gjithë tokën bujqësore në duart e bujqve të vërtetë”, përfundoi ministri.