Prokuroria Themelore Publike – Shtip ka ngritur aktakuzë kundër një 33 vjeçari ndaj të cilit është zbatuar hetim për vepër penale vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 e Kodit Penal.
Siç njoftuan sot nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë hetimit janë siguruar dëshmi sipas të cilave i pandehuri më 1 nëntor, gjatë kryerjes së dhunës familjare, me paramendim e ka privuar nga jeta partneren e tij jashtëmartesore.
“Pasi ranë dakord dhe u takuan para shtëpisë së saj, ata shkuan së bashku në një ndërtesë të braktisur të NP Isar për të diskutuar problemet në marrëdhënien e tyre shumëvjeçare. Biseda është shndërruar në debat, pas së cilës i pandehuri e ka sulmuar fizikisht viktimën dhe ka filluar ta godasë me grushta. Kur ajo u rrëzua në dysheme, ai filloi ta shtrëngonte me forcë në pjesën e qafës derisa frymëmarrja ndaloi dhe qarkullimi i gjakut në tru u ndërpre, si pasojë gruaja vdiq. Pasi është siguruar se nuk jepte shenja jete është larguar nga vendi dhe është paraqitur vetë në stacionin policor”, sqarohet në kumtesë.
Prokurori Publik te Gjykata Themelore në Shtip ka dorëzuar edhe propozim për vazhdimin e masës së caktuar paraprake paraburgim për të pandehurin.