Ali Ahmeti: VLEN-i të kthehet në rrugën e dinjitetit

Maqedonia

Ali Ahmeti: VLEN-i të kthehet në rrugën e dinjitetit

Më: 23 dhjetor 2024 Në ora: 19:51
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sërish ka takuar qytetarët nga ku ka dërguar porosi deri te koalicioni qeverisës OBRM-PDUKM dhe VLEN.

Ahmeti ka ndaluar te Marrëveshja e Ohrit duke bërë thirrje që e njëjta të mbrohet jo vetëm nga BDI, por edhe nga VLEN, OBRM-PDUKM dhe LSDM, transmeton “TV21”.

Kryetari i integristëve i ka ftuar edhe votuesit e VLEN që t’i ndihmojnë përfaqësuesit dhe drejtuesit e koalicionit shqiptar në Qeveri që të kthehen në rrugën e dinjitetit.

“Njerëzit tanë, vëllezërit tanë të bashkuar rreth VLEN-it të reflektojnë dhe ta mbrojnë kauzën kombëtare (Marrëveshjen e Ohrit), sepse është kauzë në respektim të gjeneratave të vjetra dhe që lindin pas nesh. Dhe jo, pavarësisht se i kam kundërshtar politik, nuk dua t’i shoh të turpëruar ata (VLEN) dhe ata që i kanë votuar. Dua të bëj thirrje si një njeri që ka luftuar dhe që e do krenarinë e kombit të vet. Të gjithë ata votues, le t’i ndihmojnë, le t’i inkurajojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit e VLEN-it që të kthehen në rrugën e dinjitetit dhe të mbrojmë të gjithë bashkë krenarinë, sepse Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje që duhet ta mbrojë vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, vetëm Fronti për Europë, por është vlerë që duhet mbrojtur nga të gjithë edhe nga OBRM-PDUKM edhe nga LSDM bashkë me koalicionin e tyre, aq më shumë nga ata që janë bashkuar rreth VLEN-it.

Ne nuk duam përplasje, por ama nuk mund të heshtim pa e thënë të vërtetën OBRM-PDUKM-ja ka traditë nga e kaluara për të rekrutuar argatë, hyzmeqarë. Por nuk kanë bërë mirë. Shtetet të cilat kanë bërë përzgjedhje të hyzmeqarëve, argatëve nuk kanë përparuar, nuk janë begatuar”, tha Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat