Çerdhja në Likovë, e posaçërisht ajo në Haraçinë nuk do të nisin me punë derisa kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi nuk i kërkon falje publike Ministrit të Politikës Sociale Fatmir Limanit, për të cilin ai thotë se Kreu i Haraçinës e ka quajtur jolegjitim. Limani tha se jolegjitimiteti dhe firmosja e pëlqimeve për punë në këto çerdhe nuk shkojnë bashkë dhe janë dy gjëra të ndryshme.
“Të dy kryetarët e komunave por më tepër kryetari I Komunës së Haraçinës do të duhet të kërkoj falje publike për pjesën e deklarimit se unë jam ministër jo legjitim. Në momentin që ai të përcaktohet nëse unë jam legjitim ose nuk jam, atëherë kur ai të bindet se unë jam legjitim në të njejtën kohë edhe nënshkrimi im do të jetë legjitim, nuk shkojnë të dyja bashkë, jolegjitimiteti im me legjitemitetin tim si nënshkrim. Të gjithë fëmijët nuk janë të Ridvan Ibrahimit, janë të familjeve të ndryshme? Edhe ai duhet të jetë I vetëdijshëm se është figurë publike dhe paraqet interesin e përgjithshëm dhe kolektiv”, deklaroi Fatmir Limani, ministër Politikës Sociale.
Kreu i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi tha se në këtë rast falje duhet kërkuar banorëve të Haraçinës, fëmijëve dhe Bankës Botërore që financoi këtë projekt. Ibrahimi tha se institucionet përkatëse kanë për detyrë të jenë në shërbim të kërkesave të qytetarëve për çështje të ndryshme, siç është në këtë rast funksionimi i çerdheve.
“Unë mendoj që bashkërisht duhet tu kërkojmë falje Bankës Botërore, qytetarëve të Komunës së Haraçinës edhe fëmijëve që janë të shenjtë, që na I ka fal Zoti që për ato të kujdesemi ne, për ato ne të punojmë, atyre t’u ofrojmë shërbime më cilësore, më të mira që ne si gjeneratë në të kaluarën nuk i kemi pas këto mundësi. Sot, kur janë këto mundësi dhe mos të shfrytëzohen mendoj që nuk është në rregull. E lus ministrin mos të merremi me këso deklarata, të vazhdoj procesi edukativo arsimor”, tha Ridvan Ibrahimi, kryetar I Komunës së Haraçinës.
Në çerdhen e Haraçinës “Fatosat” pritet të sistemohen 115 fëmijë pavarësisht që lista e pritjes së fëmijëve tejkalon këtë numër. Gjithashtu, edhe në çerdhen e Likovës “Valbona 2001” pritet të sistemohen 115 fëmijë të ndarë në 6 grupe. Kjo e fundit ka edhe kuzhinën distributive që do të shërbejë për çerdhen “Rrezja“ në fshatin Orizare dhe një çerdhe tjetër që planifikohet të ndërtohet mes fshatit Llojan dhe Vaksincë. Ditë më parë, kryetarët e dy komunave, të Haraçinës dhe Likovës theksuan se po përballen me procedura burokratike kur bëhet fjalë për vënien në funksion të këtyre objekteve. Mos funksionimi i çerdheve ka revoltuar edhe banorët e këtyre komunave të cilët vlerësojnë se këto vendbanime kanë nevojë për më shumë çerdhe duke marrë parasysh numrin e madh të banorëve.