Maqedonishtja kusht për licencat për drejtor shkolle, reagon BDI: Po sulmohet bashkëjetesa

Maqedonia

Maqedonishtja kusht për licencat për drejtor shkolle, reagon BDI: Po sulmohet bashkëjetesa

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

BDI ka dënuar ashpër vendimin e shumicës parlamentare, e cila në Komisionin Juridiko-Ligjvënës miratoi një amendament diskriminues në kuadër të propozim-ligjit për arsim fillor, konkretisht është vendosur që njohja e gjuhës maqedonase të jetë kusht i detyrueshëm për marrjen e licencës për drejtor shkolle.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin e shumicës parlamentare, e cila në Komisionin Juridiko-Ligjvënës miratoi një amendament diskriminues në kuadër të Propozim-Ligjit për Arsim Fillor.

Ky amendament, i propozuar nga deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe i mbështetur nga deputetja e VLEN-it, parashikon si kusht për emërimin e drejtorëve të shkollave fillore dhënien e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

Ky propozim është një sulm i hapur ndaj drejtuesve të shkollave që me sukses kanë kryer punën e tyre dhe një tentativë për të krijuar barriera të panevojshme dhe përçarje etnike.

Në vend që të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit, shumica parlamentare po vendos pengesa artificiale që nuk i shërbejnë interesave të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Ky akt është dëshmi e qartë e agjendës për të polarizuar shoqërinë dhe për të margjinalizuar komunitetet që nuk flasin maqedonishten si gjuhë amtare.

Ne e konsiderojmë këtë një hap të papranueshëm që shkel frymën e barazisë dhe bashkëjetesës në vend.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që ky amendament të tërhiqet menjëherë dhe u bën thirrje qytetarëve, mësimdhënësve dhe institucioneve që të ngrihen kundër këtij diskriminimi flagrant”, thuhet ne kumtesën e BDI-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat