Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se krimi në Lotarinë Shtetërore në të cilin të dyshuar janë ish drejtori Përparim Bajrami dhe ish zëvendëskryeministri Artan Grubi është shumë më i madh se 8 milionë euro. Mickoski, nuk dëshiroi të përgjigjet në lidhje me zërat në opinion se paratë e krimit janë investuar në kriptovaluta.
Për investimin eventual në kriptovaluta, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në intervistën për Alsat, shmangu përgjigjen. Ai tha se hetohen të gjitha modalitetet e krimit, dhe për këtë janë të përfshira institucione duke filluar nga Policia Financiare, Inteligjenca Financiare, Dogana, DAP dhe MPB.
“Shumë indikacione serioze, shumë prova, po mblidhen numër i madh i provave, kështu që ky rast me të vërtetë do të jetë një prej rasteve më interesante nga aspekti i krimit nga jakat e bardha që i kemi pasur në historinë e Maqedonisë, lidhur me personin juridik në fjalë”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski, konfirmoi se ekzistojnë informata se me paratë e krimit, dyshohet se janë blerë prona brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.
“Po ka informata se me mjetet financiare të përfituara në mënyrë të paligjshme janë blerë shumë prona në shumë lokacione, jo vetëm në Maqedoni.
Toshkovski, ndau detaje edhe për arratisjen e Grubit nga kufiri me veturë diplomatike. Sipas tij, polici kufitar ka bërë gabim kardinal, me atë që nuk e ka parë në kompjuter se Grubi ndodhet në Stop-listë, ndërkaq më pas të njëjtin nuk ka pasur mundësi ta përmirësojë se Grubi, vetëm se ka kaluar në Republikën e Kosovës.
“A nuk ka pasur mundësi që ta paraqesë te kolegët e kufirit kosovar që ata ta ndalojnë?”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Reagimi i tij ka qenë i vonuar, ai më nuk ka qenë në mes zonës dhe në kontrollin kufitar, por vetëm se ka hyrë në Republikën e Kosovës”.
Ministri Toshkovski tha se nuk ka informacione zyrtare nga ndonjë vend fqinji ose Interpoli në lidhje me vendndodhjen e Grubit edhe pse kanë kontakte të vazhdueshme me shtetet e rajonit. I pyetur, për të komentuar situatën hipotetike nëse eventualisht Grubi ka nënshtetësi shqiptare dhe kjo do të përbënte problem për ta ekstraduar, Toshkovski tha se po të ishte në vend të tij, nuk do të ishte shumë i gëzuar e i sigurt, sidomos me faktin që Grubi është i vendosur në Listën e Zezë të SHBA-së.