LSDM kërkon që Komisioni Antikorrupsion menjëherë ta tërheqë dhe rishqyrtojë vendimin për emërimin e Bojan Hristovskit në pozitën drejtor të Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Socialdemokratët konsiderojnë se duhet të sqarohet nëse ka pasur konflikt interesash në Komision sepse anëtarja e që e ka shqyrtuar rastin me diplomën universitare të Hristovskit, ka punuar në atë universitet.
“Kjo duhet të zbardhet plotësisht sepse është një goditje jo vetëm për reputacionin e KSHPK-së, por edhe për punën e saj. Një televizion kombëtar ka transmetuar dje informacione për konflikt interesi në vetë KSHPK. Një anëtare e KSHPK-së, e cila ishte përgjegjës për këtë rast dhe iu referua vendimit se me diplomën e Hristovskit “gjithçka është në rregull”, është edhe ligjërues në të njëjtin universitet ku është dhënë diploma kontroverse. Ky informacion ishte i disponueshëm publikisht në faqen e internetit të Universitetit dhe në faqen e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Ndërsa nga KSHPK thonë se nuk ka konflikt interesash.
Anëtarët e KSHPK-së konfirmuan se vendimin e kanë bazuar në mbikëqyrjen e kryer në Universitetin nga ana e Inspektoratit i arsimit.
LSDM kërkon rishqyrtim të vendimeve të Inspektoratit, për shkak se, siç shtojnë, drejtori i ri i ASK-së, Hristovski ka diplomuar brenda një viti edhe pse studimet zgjasin 4 vjet. Paraprakisht, Inspektorati dhe KSHPK theksuan se nuk ka asgjë kontestuese me diplomën e tij universitare.