Organizatat dhe shoqatat joqeveritare do të protestojnë sërish nesër pasi nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre për zbatimin e masave për uljen e ndotjes së ajrit. Marshi protestues për ajër të pastër fillon në ora 12:30 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vazhdon përmes Kuvendit, Qeverisë dhe do të përfundojë para ndërtesës së Qytetit të Shkupit.
“Po protestojmë sërish pasi institucionet kompetente nuk e panë të udhës t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve për ajër të pastër të shprehura në protestën e 10 dhjetorit.
Ne protestojmë sepse çdo vit më shumë se 3800 njerëz në Maqedoni humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e ekspozimit ndaj grimcave të dëmshme PM2.5. Kjo përbën 17.7% të vdekshmërisë totale në vend. Veçanërisht shqetësues është fakti se një në nëntë fëmijë të vdekur nën moshën një vjeç vdes për shkak të ndotjes së ajrit.
Kërkojmë nga institucionet kompetente që urgjentisht dhe sistematikisht të merren me ndotjen e ajrit përmes zbatimit të këtyre masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe do të ulin drastikisht ndotjen e ajrit”, thuhet në njoftimin e disa shoqatave, ndër të cilat janë “Shansa za Centar”, “ Green Human city”, “O2 iniciativa”, “Na toçak”, “Nezavisni za Karposh”…