Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot informoi se është hapur hetim për policin nga Kumanova, i cili në ditën e flamurit kombëtar shqiptar hoqi flamurin shqiptar nga shtylla në rrugë.
Departamenti i Kontrollit të Brendshëm pranë MPB-së, në kuadër të veprimeve të përcaktuara që janë kryer, nuk ka konstatuar se personi në fjalë ka shkelur ndonjë procedurë standarde operative në polici.
“Në veprimet e përcaktuara të kryera nga personi në fjalë nuk është konstatuar se ka shkelur ndonjë procedurë standarde operative në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme me sa jam i informuar. Më tej mund të shohim se çfarë është, si është”, thotë Pançe Toshkovski.
Gjithsej 17 persona, shumica të mitur, janë ndaluar për përdhosje të flamurit maqedonas dhe shqiptar.
Për këtë rast kanë reaguar edhe nga BDI të cilët vendimin e kanë quajtur si provokim i rëndë ndaj bashkëjetesës.
“Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të mbyllur rastin e policit që poshtëroi Flamurin Kombëtar Shqiptar pa asnjë përgjegjësi apo masë ndëshkuese është një akt i turpshëm dhe një shenjë e qartë e legalizimit të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ky veprim tregon dështimin total të institucioneve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore”, thuhet në reagimin e BDI-së.