“Qeveria monoetnike e OBRM-PDUKM-së dhe vasalëve të tyre dhanë goditjen e radhës ndaj arsimit në gjuhën shqipe”, reagon Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës.
“Pasi nuk arritën të imponojnë himnin maqedonas për nxënësit shqiptar, dje me votat edhe të vasalëve nga Vlen, u imponua provimi i gjuhës maqedonase për drejtorët e shkollave fillore. Ky kusht do të vlejë edhe për drejtorët shqiptarë që do të drejtojnë shkolla me 100% nxënës dhe mësimdhënës shqiptarë. Por, një kusht i ngjashëm për të njohur gjuhën shqipe nuk do të vlejë për drejtorët maqedonas, as në komunat me shumicë shqiptare, ku edhe nxënësit shqiptarë janë poashtu shumicë”, thonë nga ASH-ja.
Sipas ASH-së, me ndryshimet e Ligjit për tekstet shkollore u ndalua përfundimisht përdorimi i Abetares së unifikuar të gjuhës shqipe. Bashkë me të u ndaluan edhe të gjitha tekstet e tjera të autorëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo u bë falë ndryshimit me të cilin parashihet që autorët të jenë vetëm shtetas të Maqedonisë së Veriut.
“Gjatë ndryshimeve të dy ligjeve deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Frontit Europian votuan KUNDËR, ndërsa ata të Vlen votuan PËR, duke siguruar edhe shumicën e thjeshtë edhe atë të Badenterit”, thonë nga ASH-ja.
Siç thuhet në reagimin e ASH-së, deputetët e VLEN-it duke votuar PRO jo vetëm që lejuan, por edhe mbrojtën këtë diskriminim me fjalimet e tyre dhe me votën e tyre në Kuvend.