Gashi: Në takimin me kryeparlamentaren e Shqipërisë fjalimi ishte në dy gjuhë, në përpikmëri me kushtetutën e vendit

Maqedonia

Gashi: Në takimin me kryeparlamentaren e Shqipërisë fjalimi ishte në dy gjuhë, në përpikmëri me kushtetutën e vendit

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 19:22
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka demantuar siç thotë ai pretendimet e BDI-së se ai edhe me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë ka folur në gjuhën maqedonase.

Gashi deklaratën e BDI-së e quan të pavërtetë, pasi siç thotë ai fjalimi është mbajtur në gjuhën shqipe dhe maqedonase, teksa kryeparlamentarja Elisa Spiropali është pritur me nderime të larta shtetërore.

Reagim

Pretendimet e BDI-së për takimin me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë janë tërësisht të pavërteta dhe shtrembërim i qëllimshëm i fakteve. Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë u prit me protokollin më të lartë shtetëror, duke reflektuar përkushtimin e kryeparlamentarit Gashi për të nxitur marrëdhënie të fuqishme dhe të respektueshme me Republikën e Shqipërisë.

Takimi ishte plotësisht transparent, i hapur për publikun dhe mediat, ku kryeparlamentari Gashi mbajti fjalimin e tij në gjuhën shqipe dhe maqedonase, duke iu përmbajtur me përpikëri ligjit, Rregullores dhe Kushtetutës. Çdo deklaratë ndryshe nga kjo, paraqet akuzë të pabazë dhe fyerje jo vetëm për kryeparlamentarin Gashi, por edhe për vetë institucionin e Kuvendit dhe tentim për shtrembërim të së vërtetës. Këto pretendime i minojnë vlerat e së vërtetës dhe unitetit .

Me këtë rast, kryeparlamentari Gashi bën thirrje që partitë politike të opozitës ta bëjnë rolin opozitar me më shumë kreativitet dhe konstruktivitet.

Angazhimi i z. Gashit mbetet i palëkundur – të mbështesë çdo ide dhe projekt konstruktiv – pavarësisht nga përkatësia politike – që shpie përpara progresin dhe zhvillimin e vendit tonë. Veçanërisht mirëpret dhe inkurajon kontributet e partive parlamentare të opozitës, që demonstrojnë një angazhim të vërtetë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve tanë.

Nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat