Kryeprokurori shtetëror Ljupço Kocevski, thotë se nuk e di se ku ndodhet ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Ai sqaroi se Grubi ndodhej në “stop listë” disa ditë përpara se të arratisej.
“Në këtë moment, Prokuroria Publike nuk ka informacione për vendndodhjen e të dyshuarit Artan Grubi. Megjithatë, lidhur me arratisjen, mund të them se Prokuroria kishte vendosur një masë “Ndalimi” për të gjitha organet doganore, që do të thotë se kjo masë ishte vendosur disa ditë përpara se ai të largohej nga shteti”, tha Kocevski.
Kocevski tha se “informatori” që dyshohet se nxori informacionet mbi hetimin për rastin e Lotarisë Shtetërore dhe mundësoi largimin e të dyshuarit Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, nuk është nga Prokuroria.
“Aksioni u zbulua në fazën përfundimtare, pra një ose dy ditë përpara se të ndërmerrej zyrtarisht. Pikërisht për këtë rrethanë, Prokuroria Publike po heton tani për të zbuluar kush është ‘informatori’ që zbuloi aksionin. Në këtë drejtim, unë si prokuror shtetëror mund t’ju garantoj se nga ana e Prokurorisë Publike nuk rrjedhin asnjë informacion në lidhje me ato hetime paraprake. Masat e ndjekjes ishin aktive për muaj me radhë dhe asnjë prej tyre nuk u zbulua”, tha Kocevski.
Kocevski tha se shumë lëndë tashmë kanë filluar të punohen nga Prokuroria, ndaj nuk pret shkarkimin e tij pas kritikave nga kryeministri Hristijan Mickoski, pasi i njejti pati ankesa për funksionimin e sistemit të gjyqësisë.