BDI: Mickoski po e çon Maqedoninë e Veriut në izolim dhe regres

Maqedonia

BDI: Mickoski po e çon Maqedoninë e Veriut në izolim dhe regres

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nëpërmjet një komunikate ka reaguar në lidhje me deklarata e fundit të kryeministrit të vendit Hristijan Mickoski. Nga BDI thonë se në përpjekje për të heshtur shqiptarët nga reagimi për degradimin e Marrëveshjes së Ohrit, kryeminsitri Mickoski përpiqet të kërcënon me shpikje për tentativa për destabizilzim nga BDI.

“Deklaratat e fundit të kryeministrit Mickoski janë një përsëritje e një taktike të njohur nga manuali i çdo regjimi autoritar të dështuar: shpikja e “armiqve” për të mbuluar paaftësinë për të udhëhequr. Ai nuk duhet të impresionohet me retorikën e tij, sepse kjo qasje – demonizimi i kundërshtarëve dhe fabrikimi i krizave imagjinare – është një strategji e vjetër, që gjithmonë dështon përballë realitetit”.

“Në përpjekje për të heshtur shqiptarët nga reagimi për degradimin e Marrëveshjes së Ohrit, Mickovski përpiqet të kërcnon me shpikje për tentativa destabilizimi nga BDI. Në të njëjtën kohë, politikat e supozuara “anti-korrupsion” të hartuara nga pallati luksoz i partisë më të pasur në Evropë nuk janë asgjë më shumë se një mbulesë për mungesën e tij të vizionit. Ndërsa inflacioni po rëndon çdo familje, ndërsa integrimi evropian është i bllokuar dhe ndërsa marrëdhëniet ndëretnike janë në teh, Mickoski vazhdon politikat e përçarjes dhe demonizimit”.

“Kjo qasje është një dëshmi e qartë e paaftësisë së tij për të udhëhequr dhe për të adresuar krizat që e kanë çuar vendin në një rrugë pa krye. Mickoski ka më shumë se dy vite që me një fushatë dhe propagandë të egër ushqen sentimentin anti-BDI duke dashur që dështimet tre dekadëshe të shtetit që burrojnë nga korrupsioni i partive Maqedonase t’ia faturoj BDI-së dhe shqiptarëve, e me këtë të arsyetoj qasjen selektive që është duke e bërë në luftën kundër këtij fenomeni”.

“Qytetarët e kuptojnë se një lider që ndan dhe përqendrohet në “armiq imagjinarë” nuk është i aftë të zgjidhë problemet reale që ata përballen. Në vend që të sjellë një perspektivë të re dhe të çojë vendin drejt integrimit evropian, Mickoski po e çon Maqedoninë e Veriut në izolim dhe regres. BDI mbetet e përkushtuar për të mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit, stabilitetin ndëretnik dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat