Mickoski për deklaratën e Ahmetit: Nëse dikush e di se ku ndodhet Grubi, shpresoj që të merren në pyetje nga Prokuroria

Maqedonia

Mickoski për deklaratën e Ahmetit: Nëse dikush e di se ku ndodhet Grubi, shpresoj që të merren në pyetje nga Prokuroria

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 13:02
Kryeministri Hristijan Mickoski

Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar deklaratën e Ali Ahmetit, i cili tha se Grubi ndodhet në hapësirat shqiptare dhe se do të kthehet në vend nëse do të ketë drejtësi. Mickoski tha se shpreson se Prokuroria do të thërrasë në bisedë informative kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.

“Shpresoj që kjo të arrijë në prokurori dhe të ketë një procedurë ligjore në të cilën nëse kemi një person që e di se ku ndodhet një i arratisur nga ligji, do ta thërrasin atë person dhe do të përgjigjen në pyetjen se ku është i arratisuri nga drejtësia. Për çdo gjë tjetër, mund të komentoj se të gjithë në vend e dinë se si janë emëruar prokurorët dhe gjyqtarët në shtatë vitet e fundit”.

“Të njëjtët pa të cilët nuk mund të kalonte kualifikimi përmes Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, tani thonë se dikujt iu mohua drejtësia dhe se kjo ishte përndjekje politike. Më lejoni t’ju kujtoj, i arratisuri i përmendur është në listën e sanksioneve amerikane dhe aty thonë publikisht se ky person së bashku me një person tjetër është i lidhur me skandale të mëdha korrupsioni. Unë supozoj se nuk do ta akuzojnë Departamentin e Shtetit për përndjekje politike”, tha sot Mickoski.

Sipas kryeministrit, mënyra më e lehtë për të vërtetuar nëse dikush është fajtor apo jo është të vijë, të japë një deklaratë dhe të përballet me drejtësinë.

“Nuk ka asgjë të keqe të vish dhe të thuash nëse ke të drejtë apo gabim dhe prokurorët dhe gjyqtarët të vendosin se çfarë dhe si të veprohet. Ne nuk ndërhyjmë, le të vendosin në bazë të dëshmive që do t’i marrin nga hetimi”, tha Mickoski.

Ndryshe, Prokuroria Publike e RMV-së sot bëri të ditur se për Grubin është lëshuar urdhër kombëtar dhe ndërkombëtar dhe se autoritetet vendase dhe ndërkombëtare të ngarkuara për ekzekutimin e këtyre urdhrave kanë autoritetin të marrin të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë thirrjen e personave të tjerë nëse kanë informacion mbi vendndodhjen e Grubit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat