Ministria e Arsimit largoi duart nga politika etnike! Jo për vendime politike në shkollat tona! Arsimi është për të gjithë! Jo për politikë, bashkëjetesa ndërtohet me respekt, jo me imponim!
Me këto parulla, dhe protestë paqësore, banorët e Podgorcës edhe fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në shkollën fillore “Goce Dellçev”, shprehën revoltën e tyre ndaj, siç thanë ata, lojërave politike që po zhvillohen në shkollë. Ata kërkojnë që kandidati i këshillit të shkollës të emërohet drejtor, duke akuzuar ministren se për ushtrues detyre drejtor ka emëruar person që nuk i plotësonte kushtet profesionale dhe ligjore për këtë pozitë.
“E nderuar ministre, a duhet t’ju sqaroj apo do ta lexoni vetë tekstin e shkruar në shkollën e Podgorcës?”, pyet Samir Murtezosk – banor i Podgorcës.
Nga këshilli i shkollës thonë se ndonëse janë respektuar të gjitha normat ligjore nga ana e tyre, ministrja ka ndërprerë shpalljen për zgjedhjen e drejtorit të ri, duke shtuar se inspektorati i arsimit në inspektimin e shkollës ka konstatuar se të gjitha procedurat e përzgjedhjes kanë qenë të ligjshme.
“Ju paralajmërojmë publikisht se ky vendim jo vetëm që nxit besimin në sistemin arsimor, por do të përballet me rezistencë të fortë ligjore dhe publike nga ana jonë dhe nga i gjithë komuniteti arsimor”, tha Merlin Idaroski – kryetar i këshillit të shkollës.
Por ministrja Janevska sot tha se në shkollën në Podgorcës ushtruesi i detyrës është emëruar sipas ligjit.
“Kështu që unë e kam vendosur dhe është e ligjshme, mundd të kontrollohet dhe të shihet. Ka probleme serioze me vendimin e Këshillit. Së pari, jo të gjithë kanë firmosur që janë dakord me vendimin dhe së dyti, ka parashtresë edhe tek Inspektorati Shtetëror Arsimor dhe Ministria e Arsimit. Andaj, ISHA duhet të veprojë për herë të dytë dhe të tretë dhe aq sa duhet, derisa të arrijmë në një zgjidhje ligjore. Ju siguroj se nuk është problem aq i madh që nuk mund të zgjidhet. Do ta zgjidhim dhe gjithçka do të jetë në rregull”, deklaroi Vesna Janevska- ministre e arsimit.
Nga Komuna e Strugës thonë se për këtë çështje Merko ka marrë kallëzim ndërkohë sipas tyre ministrja emëron drejtor që nuk i plotëson kushtet. Nga MASH thonë se Merkos për emërimin e drejtorit në shkollën fillore në Podgorc i janë hequr kompetencat për shkak të parregullsive të konstatuara dhe moseliminimit të tyre brenda afatit nga ana e inspektorëve të arsimit.