Lista e Zezë Amerikane, rikthimi i fuqishëm në pushtet i VMRO-së nga humbja drastike e LSDM-së, shkuarja e BDI-së në opozitë, kolapsi i Qytetit të Shkupit, presidentja e parë grua, ngecja në procesin eurointegrues, tensionet ndëretnike, dështimi në luftën kundër korrupsionit, kryeministri i parë shqiptar, gjyqësori joefektiv. Këto janë disa nga ngjarjet më të mëdha që shënuan vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut. Le t’i kujtojmë nga pak të gjitha në përmbledhjen vjetore të Portalb.mk.
Vitin e nisëm me bujën që bëri zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar, Talat Xhaferi i cili ushtroi detyrën përkohësisht deri sa të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Ky moment simbolik për shqiptarët mbeti me aq, sa për të thënë se kanë pasur kryeministër shqiptarët, sepse roli i tij teknik nuk i shtoi ndonjë peshë të madhe, siç dhe u promovua dhe u premtua nga BDI-ja.
Edhe në 2024 mbetëm pa i filluar negociatat me BE-në, madje u ndamë nga pakoja me Shqipërinë, ata ecën përpara kurse ne mbetëm në vend. Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen, por ata që duhet t’i bëjnë ‘i kanë hypur breshkës’ dhe njejtë sikurse paraardhësit e tyre gjejnë mënyra të çuditshme por efektive të zvarrisin procesin, me gjasë deri sa të mos mbetet i ri dhe e re në këtë shtet.
Zgjedhjet e dyfishta do të mbahen mend si një moment kulminant i këtij viti me rikthimin e fuqishëm të VMRO-DPMNE-së në pushtet, humbjen drastike të LSDM-së dhe shkuarjen në opozitë të BDI-së pas dy dekadave në pushtet.
Gordana Siljanovska Davkova u bë presidentja e parë grua, ky moment padyshim se do të mbetet gjatë në historinë e vendit si një hap drejt barazisë gjinore, pavarësisht se çfarë qëndrime dhe veprime bën ajo. Moment tjetër historik ishte edhe zgjedhja e ish-ministres së Mbrojtjes të RMV-së Radmilla Shekerinskës si zëvendës-sekretare e përgjithshme e NATO-s.
VMRO-DPMNE-ja shënoi fitore të madhe në zgjedhje kështu duke formuar Qeverinë në krye me Hristijan Mickoskin dhe me partner shqiptar koalicionin VLEN (Aleanca për Shqiptarët – Taravari, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike) dhe Lëvizjen Znam. BDI-së nuk i pëlqeu aspak që mbeti jashtë ekzekutivit ndërsa janë ankuar shumë herë se qeveria nuk ka përfaqësues legjitim shqiptar, sepse ata kanë marrë më shumë vota, madje përmendën shumë herë destabilizimin. Rezultatet e zgjedhjeve bënë që të dorëhiqet kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, ku më pas në krye të socialdemokratëve erdhi Venko Filipçe.
Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së filluan të dalin në sipërfaqe lidhjet me Hungarinë, vendit që i dha azil politik ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Kryeministri Mickoski arriti marrëveshje me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbanin për marrjen e kredisë prej 500 milionë eurove. Madje, Orban i cili kritikohet për raporte të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ishte edhe për vizitë zyrtare në RMV. Për të mos mbaruar me kaq, Qeveria dhe kompania hungareze e TIK-ut ‘4iG’ nënshkruan memorandum për mirëkuptim.
Gjyqësori solli ca vendime, por besimi i qytetarëve në drejtësinë e këtij vendi thuaj se nuk ekziston.
Ja për shembull: lënda ‘Talir’ ku ish-kryeministri Nikolla Gruevski është i dënuar u kthye në rigjykim. Gjykata Supreme refuzoi ankesën për rastin ‘Alfa’ ku me këtë u pamundësua rigjykimi për Agim Islamin. U vjetërsua lënda ‘I fuqishmi’ ku i akuzuar ishte Antonio Milloshoski. Sasho Mijallkov mori lirim me kusht që të lirohet nga burgu katër muaj më herët. U shfuqizua aktgjykimi ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Muhamed Zeqirit për keqpërdorim të pozitës dhe lënda u kthye në rigjykim në shkallën e parë. Ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit i skadoi dënimi me burg për rastin ‘Tanku’ për blerjen e Mercedesit luksoz. Edhe rasti ‘Besa Trans’ u kthye nga e para sepse Gjykata e Apelit i pranoi ankesat e të akuzuarve.
Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi grafën etnike nga certifikatat e gjendjes civile, tani më nuk figuron etnia në këtë dokument. Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi edhe instrumentin ‘Balancues’ i cili rregulloi përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. U tha se do të sillet ligj i veçantë që do të rregullojë këtë pjesë, por këto në 2024 mbetën vetëm fjalë. Kushtetuesja nuk solli vendim për Ligjin e gjuhëve, kjo pritet të bëhet në 2025.
Lista e Zezë Amerikane ishte e ‘nxehtë’ këtë vit. Fillimisht u futën ish prokurorja speciale Katica Janeva dhe kryetari i Komunës së Karposhit Stevço Jakimovski. Ndërkaq diku pak ditë para se të përfundojë viti SHBA-të njoftuan se kësaj listee cila lidhet me personat e korruptuar i bashkohen edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti.
E pak ditë pas futjes në Listën e Zezë, u paraqitën kallëzime penale për Grubin së bashku me ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë personave tjerë për rastin ‘Lotaria’ me të cilin ata dyshohen për keqpërdorime.
Gjykata Penale u caktoi paraburgim Grubit dhe Bajramit, por të dy kanë lëshuar vendin, madje MPB-ja lëshoi edhe fletarreste ndërkombëtare. MPB lëshoi fletarrest ndërkombëtar edhe për ish-drejtorin e ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), Vasko Kovaçevski, i cili është një nga të dyshuarit në rastin “Aditiv”.
E që të mos ikë edhe një person tjetër i Listës së Zezë, Gjykata ia mori pasaportën kryetarit të Strugës Ramis Merkos.
Komisioni Evropian edhe në raportin e Progresit për vitin 2024 përsëriti vërejtjet e njëjta, korrupsioni mbetet i përhapur në vend dhe se ndryshimet kushtetuese duhen bërë. KE-ja na plasi në fytyrë të gjitha ngecjet edhe për këtë vit.
Që nuk kemi vullnet të ndjekim të korruptuarit, u dëshmua edhe njëherë kur Qeveria e tërhoqi ligjin i cili duhet t’i ndiqte personat e përfshirë në Listën e Zezë Amerikane.
Ndonëse menduam se i përkisnin të kaluarës, ishim gabim. Tensionet entike u rikthyen fuqishëm në 2024 si në shoqëri po ashtu edhe në politikë, sepse si shoqëri jemi mësuar të ushqehemi nga patriotizmi, ndërkaq shumë nuk kanë as bukë të hanë. Fillimisht kishim protestat për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe në Çashkë, pastaj tensionet ndëretnike rreth rastit të kishës në Vrapçisht. Këto kulmuan me djegien e flamurit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me rastin e 28 Nëntorit.
Qyteti i Shkupit shkaktoi kolaps të transportit publik, autobusët ndaluan së funksionuari madje kjo gjatë vitit ndodhi disa herë. E gjithë kjo për fajin dhe paaftësinë e atyre që vetë qytetarët me dorën e tyre i sollën në karriget e pushtetit.
Kultura pati disa momente jo të këndshme. Humbëm poeten Lindita Ahmeti, ndërsa Salla Universale në Shkup u përfshi nga një zjarr të madh. Mësuam edhe se gjatë ndërtimit të Teatrit të Tetovës janë vjedhur me të madhe, mbi 832 milionë denarë, prandaj ajo godinë ka mbetur ashtu siç e shihni, e gjorë dhe e vetmuar.
U shënuan dy momente delikate me Kosovën. Tentimi për përkeqësim të marrëdhënieve me Kosovën. Fillimisht u raportua për një plan atentati ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Shkup, që më pas u tha se nuk ishte e vërtetë. Ndërsa kulmi u arrit me pengimin e presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit , ku u tentua t’i merret telefoni, ku më pas shpërtheu rrjeti për këtë rast. Por që dy vendet kanë raporte të mira u ritheksua në seancën e përbashkët qeveritare në Prishtinë .
Pak ditë para përfundimit të vitit u dëmtua Ambasada e RMV-së në Kiev nga sulmet ruse në Ukrainë. Kishte dhe vërshime nga reshjet që gjithnjë i gjejnë komunat e papërgatitura.
Për redaksinë tonë ky vit shënoi një moment krenarie, sepse sipas anketës së IRI-t u zgjodhëm si portali më i besueshëm në RMV për tu informuar mbi zhvillimet politike në vend. Edhe njëherë dëshmuam profesionalizmin tonë.
Redaksia e Portalb-it ju uron një Vit të Ri sa më të mbarë, me shumë shëndet dhe suksese!
Më poshtë kemi bërë radhitje kronologjike të të gjitha ndodhive më të rëndësishme gjatë vitit 2024 në Maqedoninë e Veriut.