Koalicioni VLEN ka uruar Vitin e Ri 2025, duke e thënë se do të jetë vit i rritjes dhe shpresës. VLEN tha se, po sjellin garanci dhe mirëqenie më të madhe për qytetarët, ndërkohë që përmendën edhe disa nga synimet që kanë për vitin që po vjen. VLEN uroi që viti 2025 të jetë vit i shpresës, bashkimit dhe përparimit për çdo familje.
“Koalicion VLEN në vitin 2025 po sjellë garanci dhe mirëqenie më të madhe për qytetarët. Kryetarët e komunave të koalicionit VLEN po sjellin një revolucion pozitiv që do të prekë çdo cep të jetës sonë. Me projekte madhështore në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, ata po e shndërrojnë çdo komunë në një model të zhvillimit dhe mirëqenies. Rrugë të reja, shkolla moderne dhe ambiente që plotësojnë çdo nevojë të qytetarëve janë vetëm fillimi! Ky është viti kur fjalët kthehen në vepra dhe shpresat bëhen realitet. Koalicioni VLEN po dëshmon me vizion, guxim dhe punë të palodhur se e ardhmja jonë është më e ndritur se kurrë!
Kryetarët e komunave nga koalicioni VLEN si ai i Tetovës, Bilall Kasami dhe i Gostivarit, Valbon Limani kanë arritur të miratojnë buxhetet më të mëdha ndonjëherë në historinë e këtyre qyteteve. Buxheti i Tetovës për vitin e ardhshëm do të jetë as më pak e as më shumë se 50 milionë euro, ndërkaq ai i Gostivarit 27 milionë euro. Por në këtë grup të sukseseve është edhe dykomuna tjera, Komuna e Çairit buxheti i së cilës për vitin e ardhshëm është 21 milionë euro dhe Komuna e Zhelinës buxheti i së cilës për vitin e ardhshëm është 7 milionë euro.
Koalicioni VLEN, po ndërton një kala të re aty ku qytetarët bashkë me investitorët po ndihen më të sigurt të investojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komunave e në veçanti ato shqiptare. Në vitin 2025 do të vazhdojmë me ngritjen, avancimin dhe shtimin e kapaciteteve administrative që nënkupton rritje e efikasitetit qeverisës, rritje e transparencës, rritje e standardit, menaxhim efikas dhe rritje e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve lokale.
Dialogu i hapur me qytetarët dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje është një shembull i shkëlqyer i udhëheqjes që dëgjon dhe vepron për të mirën e përbashkët. Koalicioni VLEN premton se sukseset tona bashkë me qytetarët nuk do të ndalen këtu.
Në këtë prag të Vitit të Ri, koalicioni VLEN uron të gjithë qytetarët mbarësi, gëzim dhe suksese! Le të jetë 2025-ta një vit i shpresës, bashkimit dhe përparimit për çdo familje. Gëzuar Vitin e Ri”, thonë nga VLEN.