Nga aksidenti tragjik që ndodhi dje pasdite në Maqedoninë e Veriut ku një veturë ka dalë nga udha dhe ka rënë në lumin Vardar mbetën të vdekura tri gra, një person tjetër është në kërkim, ndërsa një fëmijë katërvjeçar shpëtoi.
Sipas informacioneve të fundit nga drejtori i Kirurgjisë së Fëmijëve në Shkup, Lazo Jovçeski, fëmija katërvjeçar, i lënduar në aksidentin e trafikut që ndodhi mbrëmë në afërsi të Rashçes, pritet që sa më shpejt të lirohet për trajtim shtëpiak.
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “MIA”, Jovçeski theksoi se “gjendja e fëmijës është në përmirësim dhe nuk ka lëndime serioze që do të kërkojnë trajtim të zgjatur spitalor”.
“Fëmija është në gjendje të përgjithshme stabile, jo në rrezik për jetën. Prej ditës së sotme ndodhet në repart, ndaj nuk është më në terapi intensive. Pres që së shpejti të lirohet për mjekim në shtëpi. Dje ka pasur monitorim intensiv, sot kontroll sipas protokollit, parametrat biokimikë për krahasim, është stabile”, tha për MIA drejtori i Kirurgjisë së Fëmijëve.
Prokuroria Publike ka njoftuar mëngjesin e sotëm se së bashku me veturën mbrëmë nga ujërat e Vardarit janë nxjerrë edhe tri gra të vdekura, për të cilat është lëshuar urdhër për obduksion.
Një person tjetër është në kërkim, ndërsa në makinë udhëtonte edhe fëmija, i cili është gjetur i lënduar jashtë automjetit dhe është dërguar në Qendrën Klinike.
Të gjithë ishin nga familja Arsllani e fshatit Gërçec të komunës së Sarajit.