Viti 2024 ishte vit i kthesës për pushtetin dhe opozitën në vend

Maqedonia

Viti 2024 ishte vit i kthesës për pushtetin dhe opozitën në vend

Më: 4 janar 2025 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Viti 2024 ishte vit i kthesës për pushtetin dhe opozitën në vend. VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin, shtatë vjet pasi LSDM-ja kishte qenë partia drejtuese e ekzekutivit. Partia e Hristijan Mickoskit dhe koalicioni fitoi zgjedhjet me 58 mandate deputetësh dhe zgjodhi për partner koalicioni VLEN-in me 14 deputetë dhe ZNAM-in me 6 deputetë.

“Ne premtojnë se do të punojmë pa u lodhur, se do të kujdesemi, se vendi do të ndryshojë, se do të ecë përpara, se do t’ju respektojmë dhe se do të jemi të përgjegjshëm. Prandaj në 100 ditët e para ja nisim fuqishëm, me optimizëm por edhe me shumë shpresë. Do të ulim taksat, do të rrisim pensionet, do të fillojmë një projekt me mbi 200 milion për komunat, 1 miliard euro për ekonominë maqedonase, investime të huaja të reja për punësime të reja, tekste për të gjithë, luftë kundër korrupsionit…”, pati deklaruar Hristijan Mickoski, kryeministër.

Periudha parazgjedhore bashkoi kundërshtarët e deriatëhershëm politik, Ali Ahmetin dhe Ziadin Selën në një koalicion parazgjedhor në të cilin bëjnë pjesë edhe subjekte të tjera politike. Fronti Evropian e konsideron qeverinë pa legjitimitet etnik, meqë thonë se janë ata partia fituese të shqiptarët që meriton vendin në qeveri. VLEN kërkon nga BDI-ja të mësohet me të qenit në opozitë dhe të reformohet.

“Këtu është lënduar thellë Marrëveshja e Ohrit sepse Marrëveshje e Ohrit duhet të lexohet në frymë dhe në germë dhe ne nuk lejojmë që kjo Marrëveshje as të cenohet, as të lëndohet dhe tërësisht jemi të mobilizuar dhe të organizuar në mbrojtje të legjitimitetit. Jo rastësisht shtrohet pyetja sepse ne na pyesin njerëzit; përse ne të votojmë kur dikush vendos mbi vullnetin tonë”, kishte thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

“Gjatë gjithë kohës na kanë akuzuar se nuk kemi legjitimitet. Unë sot, para jush po e përsëris VLEN është fitues i zgjedhjeve në kampin politik shqiptar. VLEN është faktori i ri politik i cili me legjitimitet, dinjitet dhe përgjegjësi përfaqëson shqiptarët. VLEN është struktura e re politike e cila do të jetë bartëse e tranzicionit të suksesshëm institucional”, tha Izet Mexhiti, Zv.kryeministër i parë, VLEN.

LSDM-ja pësoi humbjen më drastike të cikleve të fundit zgjedhore dhe mbeti vetëm me 18 deputetë. Kreu i saj dha dorëheqje dhe partia mbeti në duart e ish ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, mik i afërt i ish kryeministrit Zoran Zaev. Nga kjo parti fajësojnë BDI-në për rezultatin e dobët në zgjedhje dhe thonë se janë në proces reformimi të brendshëm.

“Është e qartë, dhe ky është një nga postulatet e programit, se ne do të ndërtojmë çdo koalicion të bazuar në politikat e vlerave dhe se nuk ia vlen të qëndrojmë në qeveri apo ta mbajmë qeverinë për një periudhë më të gjatë, ndërkohë që seriozisht dëmtohen pozicionet tona. Kjo ndodhi në vitet e fundit të qeverisjes nga 2022 deri në 2024”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Ndër premtimet kryesore të kësaj qeverie është lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe standard më i mirë jetësor i qytetarëve.

Përskaj zgjedhjeve parlamentare, VMRO-DPMNE-ja dhe kandidatja e saj fitoi edhe zgjedhjet presidenciale. Gordana Siljanovska Davkova u zgjodh presidente pas një avantazhi prej afër 300 mijë votash ndaj kundërkandidatit Stevo Pendarovski. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat