Vdekja e foshnjave karakterizoi shëndetësinë për vitin 2024. Për gjashtë muaj u regjistruan 19 vdekje. Shumica e tyre ishin foshnja ndërsa njëri prej tyre ishte 5 vjeç.
Vdekja e foshnjës 14 mujashe ndezi alarmin, ku inspektorati shëndetësor konstatoi parregullsi në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve. Rasti ka dy muaj që po hetohet nga Oda e Mjekëve, por ende nuk ka asnjë vendim për mjekët që kishin bërë lëshim profesional.
Drejtori i Klinikës, Rexhep Memedi, zhvishej nga përgjegjësia duke thënë se ndaj tij po bëhet fushatë diskriminuese, ndërsa vdekjet e foshnjave i trajtonte si statistikë, ku bënte krahasimin e vdekshmërive të pesë viteve më parë.
“Nga tabela e treguar me të dhënat e sistemit informativ të Klinikës së Fëmijëve vihet re qartë se tani kemi një vdekshmëri gati dy herë më të ulët krahasuar me 5 vite më parë ose vdekshmëri tre herë më të ulët krahasuar me 9 apo 10 vite më parë ku kishte mesatarisht 9 vdekje në muaj, pra mesatarisht çdo 3 ditë nga një vdekje, në një kohë kur të tjerët drejtonin Klinikën e Fëmijëve dhe kishte një qeveri tjetër në vend”, tha Rexhep Memedi, drejtor i klinikës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari kishte deklaruar se çdo mjek mund të bëjë lëshime profesionale.
“Çdo mjek mund të bëjë lëshim profesional dhe këtu është bërë anashkalim profesional. Për këtë është e nevojshme të merren masa konkrete, unë nuk jam për dënimin dhe për largimin nga puna, megjithatë masa konkrete patjetër duhet të ndërmerren”, deklaroi Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Klinika e Onkologjisë përsëri ishte në shënjestër të raportit të revizionit, ku konstatoi sërish një sërë parregullsish, i cili përsëri përfundoi në Prokurori. Ndonëse, rasti i terapisë biologjike, i cili përfundoi në tregun e zi, në vend që të ju jepej pacientëve me kancer, ende nuk ka epilog.
Edhe gjatë vitit që lamë pas ndërtimi i parkingjeve në kate nuk gjeti zgjidhje. Parkingu sipas ministrit do të jetë gati deri në qershor të 2025.
Një ndër gjërat pozitive që ndodhi këtë vit në shëndetësi ishte shkarkimi i drejtorëve ekonomik nëpër klinikat shëndetësore, duke i kursyer Ministrisë së Shëndetësisë mbi 250 mijë euro për tre muaj.