Koalicioni VLEN në një kumtesë për media i bënë thirrje BDI-së që të marrë masa konkrete për të ruajtur partneritetin strategjik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dëshmojë se shqiptarët nuk do të mbahen peng i krimit.
VLEN kërkon nga BDI që të marrë vendim formal për përjashtimin e Artan Grubit nga anëtarësia partiake.
“Deklaratat e deritanishme të Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani për parimin dhe transparencën kanë mbetur vetëm fjalë boshe. I bëjmë thirrje që të ndërmarrin hapa konkretë që do të dëshmojnë se premtimet dhe angazhimet e tyre janë reale dhe se nuk do të lejojnë asnjë dyshim për veprimtari kriminale apo të pandershme që të njollosë reputacionin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
“Presioni publik është real dhe legjitim – qytetarët kërkojnë vepra konkrete, jo fraza boshe. Nëse BDI dëshiron të konfirmojë seriozitetin e angazhimeve të saj për sundimin e ligjit dhe integritetin e përgjithshëm shoqëror, është urgjentisht e nevojshme të tregohet se nuk do të tolerojë aktivitete të dyshimta nga radhët e saj. Përjashtimi i Artan Grubit nga partia është një lëvizje e domosdoshme për të dërguar një mesazh të qartë se partia dhe drejtuesit e saj janë të sinqertë në angazhimin e tyre për respektimin e ligjit dhe një partneritet të fortë me SHBA-të. Gjithçka tjetër është dëshmi e qartë se po mbulojnë dhe mbrojnë mikun e tyre Artan Grubin”, thonë nga VLEN.
“Besojmë se me veprime urgjente dhe të vendosur, BDI-ja do të tregojë se fjalët e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit nuk janë premtime boshe, por se ata vërtet qëndrojnë prapa parimeve të tyre të drejtësisë, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesave strategjike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga VLEN.