Më në fund, dhe atë në fillim të Vitit të Ri, pikërisht më 02 janar 2025 publikohet në portalb.mk një lajm, në shikim të parë i mirë, në shtetin, në të cilin, që nga krijimi e riemërimi i tij, nuk ka ndodhur, përgjithësisht, e në veçanti në fushën e Edukim-Arsimimit, të dëgjosh, të shohësh apo të lexosh ndonjëherë lajm të mirë shpresëdhënës, i cili mund të ngjallë vërtetë shpresë për njerëzit e të ardhmes. Fjala është për iniciativën e Kuvendit Studentor Universitar të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (KSU UKM), lidhur me kualifikimin shtesë të detyrueshëm pedagogjik, për të gjithë asistentët aktualë dhe të ardhshëm, docentët, profesorët me kohë të pjesshme dhe të rregullt në institucionet e arsimit të lartë (portalb.mk, 02.01.25).
Sipas Kuvendit Studentor, kjo iniciativë ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së procesit mësimor dhe përmirësimin e rezultateve arsimore të nxënësve. Idenë për këtë iniciativë Kuvendi Studentor, kuptohet gjithmonë sipas lajmit të publikuar në portalb.mk, e mbështetë në praktikën e aplikuar në arsimin fillor dhe të mesëm. «Për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional në arsimin fillor dhe të mesëm, ligji për arsim parasheh që mësimdhënësit përgatitjen pedagogjike-psikologjike dhe metodologjike ta kryejnë detyrimisht para marrjes së licencës për punë». Studentët “besojmë” se kjo praktikë duhet të zbatohet edhe në sistemin e arsimit të lartë, si plotësim i kornizave ligjore ekzistuese që kështu të arrihet rritje e profesionalizmit të stafit mësimdhënës, përgatitja më e mirë e studentëve për tregun e punës dhe përmirësimi i reputacionit ndërkombëtar të universiteteve të Maqedonisë së Veriut.
Deri këtu krejt në rregull, i thash fillimisht vetes unë, sepse profesionalizmi i kuadrove universitare dhe prestigji i universiteteve të Maqedonisë së Veriut nuk është së koti «më i miri në botë», dhe mendova përnjëherë se si do të kenë reaguar vallë, lexuesit, kuptohet duke supozuar ta kenë lexuar lajmin. Fjala është për lexuesit pa njohuri të thella në fushën e edukim-arsimimit, për ata me njohuri të «mjaftueshme» dhe për ata të gjithëdijshmit (gjysmëprofesorët, pseudoprofesorët, profesorët e «rregullt» që nuk i sheh kurrë në katedër, profesorët ordiner «ordinar» që pazaret i bëjnë në kafenetë rreth universiteteve e alamet shkencëtarët e «hajrit» bile edhe për Donald Trampin (Trump) e për Elton Musk-un). Për të parët mendova se mund që edhe nuk e kanë lexuar, sepse ky lajm, jo që nuk u rendit në mesin e më të lexuarve të ditës, por as që u përsërit, siç ndodh zakonisht me lajmet senzacionale. Për të dytët (mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm), mendova se mund ta kenë lexuar dhe të jenë pajtuar me kërkesën e studentëve, por më shumë për inat të profesorëve të universiteteve, të cilët padrejtësisht fitojnë më shumë se ata, edhe pse të dytët janë gjoja të licencuar për «mjeshtërinë e mësimdhënies». Duke menduar për reagimet e tyre lidhur me lajmin, më bëhej se gati i dëgjoja duke thënë «Meqë na detyruan neve ta kryejmë këtë kualifikim, le ta kryejnë dhe këta, dhe le ta shohin se nuk do të kenë dobi prej atij kualifikimi». Të tretët mendoj të mos jenë gëzuar fare, që më në fund studentët e kanë kuptuar se këta kanë nevojë të domosdoshme për një kualifikim shtesë, dhe e kanë marrë guximin të bëjnë kërkesë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës - MASH dhe në Byron për «Zhvillimin e Arsimit»- BZHA. Në vend të ndonjë reagimi miratues, ose shprehje mirënjohjeje, ata në heshtje apo edhe në bashkëbisedime me njëri-tjetrin mund të jenë përgjigjur kësisoj: «Eu sa të mençur i kemi studentët, tamam si puna e atij dilenxhiut, i cili pas dy tri orëve mësim-edukimi seksual, shkon ti tregojë babës e nënës se si bëhen fëmijët. Halli i këtyre duan të na tregojnë se paskemi nevojë për kualifikim shtesë, kurse ne vetë nuk e kemi ditur këtë punë. Po pse ta bëjmë edhe një kualifikim kot, e t’ua ulim vlerën, letrave me “vlerë”: as. mr. sc. dr., blerja e të cilave na ka kushtuar shumë? Ku e dinë studentët nga sa na kanë kushtuar neve emërimet asistent, docent, doktor e doktor për doktorët?! Hë, ku e dinë ata këtë punë? Ku e dinë ata se nga shitjet e letrave me vlerë, për të mos i quajtur diploma, kanë fituar me qindra mijëra euro dilerë të shkathtë, profesorë me nam e drejtues të shkollave doktorale e të institucioneve, siç i quajmë ndonjëherë të “shenjta”. Këta dreqër, nuk duan cilësi e dituri, këta duan vetëm të na e prishin rehatinë në biznesin e mirë dhe lirinë akademike. Nëse nga tallavaja mund të përfitojnë i hunit e drurit si këngëtare e këngëtar, nga e frymja për mësysh e heqje magjish mund të fitojë çfarëdolloj hoxhe e xhinxhie, nga bizneset ordinere çdo njëri me prirje të tillë, pse edhe ne të mos mundemi të përfitojmë nga akademizimi me përmasa alfabetizimi. Secili biznes e ka kohën e vetë, tash kur ky i yni po lulëzon edhe në pikën e dimrit, dreqërit si këta të Kuvendit Studentor duan të na e prishin rrjedhën, ose ndoshta edhe mund të na i shtojnë jazet e mullinjve?!. Por duke i njohur se kush janë e si janë, nuk na besohet se kjo ide është e tyre. Kjo është e pamundur. Ne i njohim se sa dinë, çka dinë e çka duan ata. Këtu ka dorë dikush tjetër që i ka mësuar e i ka nxitur. Prapa kësaj ideje fshihet dikush tjetër, që do të përfitojë nga kjo punë». Pasi i lash të rrjedhin të lira mendimet për të tri grupet, reflektova ca dhe i thash sërish vetes, pa dallim nga reagimet e ndryshme të mundshme, do të kishte qenë mirë sikur ky lajm, respektivisht kjo iniciativë, të ishte lexuar nga më shumë lexues, së pari nga prindërit, pastaj nga vetë studentët, mësuesit, profesorët e të gjithë të angazhuarit në fushën e Edukim-Arsimimit, që ai të bënte bujë dhe t’i mobilizonte të gjithë faktorët vendimmarrës për ta përkrahur atë. Natyrisht duke i përfshirë edhe ata të cilët qëndrojnë prapa kësaj iniciative, sepse pa ta edhe kjo iniciativë do të përfundojë në sirtarët e MASH-it.
Meqë iniciativa është marrë nga Kuvendi Studentor, është e mundur të mendoni se fjala është për studentët, por jo, sepse ata me formën dhe mënyrën e shtrimit të kërkesës, nuk janë treguar vetëm axhami, e të pafajshëm që nuk dinë, por edhe vetmashtrues, ngase duke qenë të mashtruar e mashtrojnë veten dhe ata që i përfaqësojnë, gjoja janë duke kërkuar diçka madhore, për ta dhe të ardhmen e tyre. Jo, jo, fjala është për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, BZHA, MCGO (Macedonian Civic Education Center), “Qendrën për Edukim”, Happ pas Hapi - SOROS e ndonjë shoqëri tjetër joqeveritare, partnere të qeveritarëve, të cilave pas dështimeve të shumta lidhur me reformat në sistemin arsimor, fondacionet e huaja ua kanë kthyer aktualisht bërryllin, dhe i kanë lënë që të mbijetojnë me fondet e tyre të kontestueshme. Në mungesë fondesh të bollshme për realizime seminaresh, kursesh, ahengjesh etj. etj., sikur ka ndodhur deri tash, shteti i prirë për vepra me porosi, e shfrytëzon si duket mosdijen e naivitetin e studentëve, natyrisht të të përzgjedhurve të tij, për ta iniciuar këtë ide, që pas miratimit të saj të përfitojnë sërish ose si përherë: MASH, BZHA, MCGO etj. etj. Dhe pikërisht ato që e kanë sjellë gjendjen në fushën e arsimit në fundin e pafund, të jenë sërish përfituesit e derjetëpërdrejt nga kurset, seminaret e kualifikimet shtesë, gjoja për përsosjen profesionale të profesorëve të arsimit të lartë.
Pse supozoj e mendoj kështu?
Për shumë arsye. Më së shumti për shkak të përvojës së hidhur personale me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, me të cilën, në kohën që ajo drejtohej nga i ndjeri z. Abdilaqim Ademi, kam provuar të realizoj një bashkëpunim ndërshtetërore e ndërinstitucional për reformimin e sitemit Arsimor. Në dokumentin «Reforma e mirë, për më mirë» që do të realizohej e menaxhohej nga Insitituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Arsimit të Fakultetit të Edukimit të Cyrihut, një ndër pikat kryesore për reformimin e fakulteteve pedagogjike në Maqedoninë e Veriut ishte krijimi i Akademisë për Arsimim Permanent ose Instituti Nacional për Arsimim Permanent – global e inklusiv, e cila apo i cili do të kujdesej edhe për përsosjen profesionale të ligjëruesve universitar. Pavarësisht nga titujt shkencor, të gjithë, asistentë e profesorë (të rregullt, ordinar etj.), do të ishin të detyruar, si kudo në vendet e përparuara, edhe në Maqedoninë e Veriut, ta ndjekin kualifikimin me mentorim gjatë implementimit për marrjen e titullit arsimor docent- mjeshtër i mësimdhënies dhe nxënies, mjeshtër për përcjellëjen pedagogjike të studiuesve të rritur si didakt agil. Arsyeja ishte e qartë dhe e kuptueshme, sepse gjasat që një inxhinier, ose mjek, teknolog, programues, kimist, biolog, etj. etj., i cili nuk është marrë kurrë me didaktikën si diciplinë për mjeshtërinë e mësimdhënies dhe nxënies, të mos jetë i suksesshëm në ligjërime e studime efikase me studentët, e studiuesit e niveleve të ndryshme, janë të mëdha. Për çudi e keqardhje, në vend të pranimit të kësaç çështjeje, rezultoi që shteti për interesa miskine individësh, nganjëherë di të bëhet armik i vetvetes, armik i bashkëqytetarëve të vetë dhe ti bëjë bashkëqytetarët armiq të vetvetes. Punonjës të ministrisë, bashkë me profesorë të zgjedhur e refuzojnë idenë e kualifikimit përkatës për pedagogë e didakt agil në arsimin e lartë, si pjesë e konceptit të tërësishëm, duke u shërbyer gjoja me argumentet e studentëve të mbledhura nga debatimet e hapura me studentë e profesorë në kuadër të fushatave për ndryshimin e Ligjit për Arsim të Lartë në Maqedoninë e Veriut. Manipulimet e studentëve, përmes vënies së tyre në mbrojtje të profesorëve, gjoja se ata janë shumë të kënaqur me cilësinë e mësimdhënies, u shfrytëzuan si argumente mbrojtëse për tezën e tyre të vetëkrijuar se studentët nuk vijnë të përgatitur sa duhet nga shkollat e mesme, prandaj edhe jetojnë me botëkuptimin se në Universitet vijnë të mësojnë e jo të studiojnë, dhe kështu sipas tyre, gjërat që funksionojnë si duhet, nuk duhet prekur. “Kur nuk kupton e ke nevojë për sqarime ka zgjidhje, por kur kupton dhe vepron ndryshe me vetëdije, nuk ka se kush të ndihmon. Siç e lyp, e gjetsh!”, ishte përgjigjja e Institutit Ndërkombëtar. Për shkak të kësaj çështjeje dhe të tjerave shumë më të rëndësishme se kjo, por edhe sherreve të tjera, Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Arsimit të Fakultetit të Edukimit në Cyrih e ndërpreu menjëherë bashkëpunimin me MASH-in, për t’u mos u kompromituar si pjesë e marifeteve ballkanike, siç kishte ndodhur me të tjerët. Ndonëse me këtë veprim shpëtoi Instituti, për keqardhje nuk shpëtoi dokumenti për reformën e mirë, sepse ai ngeli në sirtarët e MASH-it, duke u përdorur më vonë pjesërisht e keq, sipas tekeve e nevojave të ministrave pasardhës. Personat e pakët, të cilët kanë qenë në rrjedha lidhur me këtë dokument si p.sh. ish ministri i Arsimit z. Spiro Ristovski, zëvendësministri, më vonë sekretari shtetëror i Arsimit z. Safet Neziri, zonja V. Horvatovic, ish drejtoresha e BZHA-s, prof. dr. Fatmir Sulejmani, prof. dr. Velkovski, z. Veton Zekolli, përfaqësues i shoqatës Nancen Dialog, eventualisht prof.dr. Zlatko Zhogleg, prof. Ilir Mehmedi, këshilltar pedagogjik, prof. dr. Shpëtim Latifi, ish ministri i Arsimit Jeton Shaqiri e ndonjë këshilltar i BZHA-s e kanë vërejtur sigurisht se përpjekjet e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë për të implementuar pjesë nga dokumenti “Reforma e mirë për më mirë, për më të dashurit – njerëzit e të nesërmes”, për reformimin e sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut, si për shembull:
- krijimin e Këshillit Nacional për Edukim-Arsimimi (implementuar gabimisht sipas niveleve arsimore, në vend të një Këshilli por vërtetë Këshill Nacional, e jo të zgjedhur sipas preferencave të shtetit/pushtetit).
- futjen e standardeve në konceptin e ri të arsimit fillor, pa përcaktim paraprak të standardeve nacionale për matjen e arritjes së standardeve.
- aplikimin e parimit inkluziv në sistemin e pa analizuar dhe padefinuar si duhet lidhur me parakushtet e domosdoshme për zhvillimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës.
- futjen e parimit të dualitetit në arsimin profesional teori-praktikë, pa i krijuar kushtet e domosdoshme që ndërlidhen ngushtë me zhvillimet socio-ekonomike dhe tregun e punës.
- futjen e parimit të interkulturalitetit në konceptin e arsimit fillor, por jo si parim e qëndrim human, por si ideologji- si inetrkulturalizëm.
- forcimin e programeve për zhvillimin e vetëdijes mediatike, por krejtësisht gabimisht duke i favorizuar partnerët e ashtuquajtur joqeveritarë të “specializuar” për edukim mediatik.
- copëzimin e pjesëve ndërlidhëse të kurrikulave, teksteve/përmbajtjeve, qëllimeve, standardeve dhe aspekteve të tjera,
kanë qenë të paraprogramuara që të dështojnë, siç do të dështojë edhe kjo iniciativë, gjoja e studentëve, jo vetëm pse dokumenti i përmendur më parë është i koduar me kodin MM, por për atë se ai dokument kërkon qasje serioze sistematike dhe dekodim për aktivizim të përnjëhershëm të të gjitha segmenteve, të lidhura në mënyrë dhëmbëzore me njëra-tjetrën, që me lëvizjet nga poshtë lartë, nga lartë poshtë dhe mes për mes hallkave të sistemit të përgjithshëm e vënë bashkërisht në funksion tërësinë-sistemin.
Besoj që përshkrimi i shkurtër i përvojës së hidhur me MASH-in e bënë të kuptueshëm skepticizmin lidhur me idenë e Kuvendit Studentor. Sado që siç thash në fillim, ajo parimisht duket e mirë, në thelb nuk është e sinqertë, por ka për synim, siç ka ndodhur deri tash me idetë për reformat e mëdha, vetëm përfitimet e ordinerëve.
Fragmentet e mëposhtme të lajmit të 02 janarit 2025 dhe fakti që lidhur me iniciativën nuk janë konsultuar dhe përfshirë edhe studentët e universiteteve të tjera, dhe moskoordinimi me të tjerët, që kërkesa të shtrohet në emër të Lidhjes së Studentëve të Maqedonisë Veriore, nëse ekziston, ose pse jo edhe në bashkëpunim me Lidhjen e Profesorëve Universitar të Maqedonisë së Veriut, natyrisht nëse ekziston, besoj ta vërtetojnë edhe më fuqishëm arsyen e skepticizmit tim:
- Kuvendi studentor propozon futjen e kualifikimit shtesë pedagogjik-psikologjik dhe metodologjik (mendon ndonjë nga ju se studentët e dinë se çka nënkupton vërtetë ky emërim: kualifikim shtesë pedagogjik-psikologjik dhe metodologjik. Sa për teori pedagogjike, psikologjike e metodologjike profesorët ta çajnë kokën e të lënë memec me bla-bla-blat e tyre pa kripë) të detyrueshëm për të gjithë mësuesit aktualë dhe të ardhshëm të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe që kualifikimi plotësues të kryhet nëpërmjet programeve të akredituara në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës - MASH dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit – BZHA (më se e kuptueshme, nga kush tjetër përveç se nga MASH dhe BZHA, ngase këto dyja janë të specilalizuara për të bërë programe për shkollat e shekullit të XIX, por jo edhe diçka të hajrit për njerëzit e të ardhmes).
- Ata gjithashtu kërkojnë që të bëhen ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Arsimin e Lartë, duke shtuar një nen të ri që do të rregullojë këtë detyrim, të ngjashëm me atë që rregullohet në Ligjin për arsimtarët dhe bashkëpunëtorët profesional (pikërisht atë që është duke vepruar ministrja aktuale që nga ardhja e saj në këtë detyrë/post. Heqje ligjesh, vënie ligjesh, përmirësim gabimesh të ministrave paraprak, shumëfishim gabimesh edhe më të mëdha se të tjerëve).
- Me këtë, KSU UKM pret rritje të profesionalizmit të stafit mësimdhënës, përgatitje më të mirë të studentëve për tregun e punës dhe përmirësim të reputacionit ndërkombëtar të fakulteteve të Maqedonisë së Veriut (pikërisht ajo që më së paku u intereson studentëve, reputacioni i Universiteteve! Halli i studentëve është më se i njohur: marrja e letrave me “vlerë” dhe gjetja e ndonjë shtegdaljeje për ta braktisur shtetin, i cili vite me radhë duke u shërbyer me sloganin “Ne i favorizojmë të rrinjët!” ju përgjigjet adekuat pritjeve të tyre “I krijuam universitetet për ju, ejani pajisuni me diploma dhe shkoni kah të doni”).
- Kërkesa e asamblesë studentore i është dërguar Ministrisë së Arsimit, BZHA-së dhe institucioneve të arsimit të lartë (natyrisht MASH-it dhe BZHA-së, sepse këto dyja janë treguar deri tash jashtëzakonisht të suksesshme në reformat e mëdha në fushën e Arsimit, saqë fjalëve reformë, profesion, profesionalizëm, shkencë, përparim, zhvillim ua kanë humbur kuptimin, dhe kanë ndikuar që numri i atyre, të cilët nga mospajtimi me intrigat qëllimkëqija të pushtet-mbajtësve, të shtohet duke ia kthyer shpinën këtij shteti, i cili që nga krijimi i tij, për shkak inatesh ndëretnike, ka vepruar kundër interesave të qytetarëve të vetë, kryesisht në favor të klaneve politike ordinere).
E pra, marifet i thonë kësaj pune, jo mahi. Punë e madhe që ato e ata që nuk pajtohen me marifete të këtilla e braktisin këtë vend të “mallkuar”.
“Nuk më dhimbset vetja që po largohem nga këtu, sepse ikja nganjëherë është edhe shpëtim, por më dhimbset e ardhmja e nipave e mbesave të mia. Të mjerët ata e ato për fatin e tyre të keq. Mendo në duart e kujt ka mbetur politikëbërja e vendimmarrja!” më pat thënë një herë një miku im, që ua larguar para disa vitesh nga këtu. “Por ama edhe për ata kam filluar të mos mërzitem më”, më tha po i njëjti ca kohë më vonë. “Edhe ata kanë filluar të bëhen si të parët e tyre. Në këtë kohë, kur teknologjia e komunikimit e e vetëstudimit ka përparuar aq shumë, kur shkolla gati është bërë e tepërt, jo e domosdoshme, ata ende shkojnë në Universitet që të mësojnë. E kupton përse nuk mërzitem më edhe për ata, sepse edhe atyre ju pëlqen që veç me shkuarje ardhje në Universitet të pajisen me letra me “vlerë”, me shkurtesa as. doc. dr. prof. dr. të cilat pas ca vitesh nuk do të kenë vlerë fare. Askush nuk do t’i pyes, sa pikë kredi i kanë marrë me CAS, kualifikime e rikualifikime për përsoje profesionale, por çka dinë, çka janë në gjendje të bëjnë në praktikë. Askujt nuk do t’i interesojnë ligjet e çuditshme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si p.sh. për të qenë rektor i ndonjë universitetit duhet të jesh profesor ordinar, ani pse mund të mos kesh fare lidhje me menaxhimin institucional, për të punuar me studiues (studentë) duhet të jesh profesor me titull doktor shkence, anipse mund të mos kesh fare lidhje me mjeshtrinë e mësimdhënies dhe nxënies, studimit e bashkëstudimit etj. etj. Askush nuk do të pyese për të gjitha ato ligje për të cilat shquhet Ministria e Arsimit e Shkencës të Maqedonisë së Veriut, aq më pak për ligjet me të cilët mundohet të pozicionohet ministrja e tanishme, gjoja se reforma realizohet vetëm me ligje, pa koncepte, pa dizajnë, pa metodologji, pa qëllime të arritshme e të matshme, pa gjithëpërfshirje e implementim konsequent”.
Të kuptoj plotësisht i thash unë dhe shpresoj që edhe ata, të cilët ia duan të mirën, në radhë të parë vetes e të tjerëve, të të kuptojnë se idetë, iniciativat e kërkesat me porosi nga “shteti”, çojnë ujë në mullirin e porositësve.
“Megjithatë le të shpresojmë që kjo iniciativë e publikuar në fillim të vitit të ri të jetë më ndryshe nga të tjerat, ose në qoftë se nuk është ashtu, të shpresojmë që ky reagim qëllimmirë të bëhet shkas, për një zgjim të studentëve, për një kërkesë vërtetë kuptimplote, sepse profesionalizimi i profesorëve universitar, për sa i përket mjeshtrisë së mësidhënies dhe nxënies si didakt agil, është më se e domosdoshme, por sigurisht jo sipas programeve të Byros për Moszhvillim të Arsimit, Hap-pas Hapi Prapa e ku ta di unë të cilës shoqate e qendre edukimi, por nga institucione të dëshmuara ndërkombtarisht për këtë çështje”, më tha ai.
Mirë i thash unë, por më me rëndësi është çka mendoni ju, çka mendon ti, ti e ti?