Andonovski: Për herë të parë ligj për qasjen e personave me aftësi të kufizuar në ueb-faqet dhe aplikacionet shtetërore

Maqedonia

Andonovski: Për herë të parë ligj për qasjen e personave me aftësi të kufizuar në ueb-faqet dhe aplikacionet shtetërore

Më: 16 janar 2025 Në ora: 19:10
Andonovski

Po krijojmë një kornizë juridike që do t’u mundësojë personave me aftësi të kufizuar, personave të verbër, si dhe qytetarëve të moshuar pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë në shoqërinë dixhitale, theksoi ministri për Transformim Dixhital Stefan Andonovski, në debatin e sotëm publik për draft-ligjin për qasje në ueb faqet dhe aplikacionet celulare të institucioneve nga sektori publik.

Andonovski, siç kumtoi Ministria, e ka theksuar qëllimin e Qeverisë për krijimin e një shoqërie dixhitale plotësisht gjithëpërfshirëse.

Në debatin publik, të organizuar nga Ministria për Transformim Dixhital, morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore, sektori joqeveritar, organizatat ndërkombëtare dhe bashkësia akademike, duke demonstruar rëndësinë e këtij legjislacioni për shoqërinë e Maqedonisë.

“Ky ligj është një hap thelbësor drejt sigurimit të qasjes së plotë në ueb faqet qeveritare për personat me aftësi të kufizuar. Kjo është një çështje e cila me ndihmën e teknologjisë, do të mundësojë të drejtat themelore të njeriut dhe qasje të barabartë te informatat dhe shërbimet për të gjithë qytetarët”, ka theksuar Andonovski.

Ligji, i cili buron nga Direktiva e BE-së 2016/2102, parashikon masa gjithëpërfshirëse për sigurimin e qasjes, duke përfshirë qasjen e lehtë dhe të kuptueshme në përmbajtje, funksionimin e ndërfaqes dhe qëndrueshmërinë e zbatimit teknik. Për ndjekjen e zbatimit të ligjit, Ministria për Transformim Dixhital do të përkushtohet në harmonizimin, sigurimin e trajnimeve dhe nxjerrjen e udhëzimeve teknike.

“Vizioni ynë është i qartë – po ndërtojmë një shtet dixhital në të cilin çdo qytetar, pa përjashtim, do të ketë qasje të barabartë te informatat dhe shërbimet. Ky ligj është pjesë e përpjekjeve më të gjera të shtetit për plotësimin e detyrave nga Agjenda reformuese, Konventa e KB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar nga viti 2011”, ka theksuar Andonovski.

Ai theksoi se ky proces kërkon kohë dhe resurse, por se ky është një investim në një të ardhme më të mirë në të cilën transformimi dixhital me të vërtetë nuk lë askënd pas. “Një e ardhmme në të cilën teknologjia shkatërron barriera dhe nuk i krijon ato”, ka theksuar Andonovski në fjalimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat