Brenda këtij viti mund të jetë edhe ligji për ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe veteranët e saj, kështu paralajmëroi deputeti nga koalicioni VLEN, Rijad Shaqiri.
Ai për media deklaroi se janë dy verzione, njëri i përbashkët me “Branitellat” e tjetri ekskluziv për veteranët dhe ish ushtarët e UÇK-së.
Shaqiri ka njoftuar se drafti i ligjit veçmë ka filluar të përpunohet brenda koalicionit VLEN megjithatë për të njëjtin pritet që VLEN të flasë edhe me partnerët e koalicionit, OBRM-PDUKM dhe ZNAM.
“Është një draft version i ligjit të cilin jemi duke e punuar d.m.th, bashkasrisht me grupin parlamentar të koalicionit VLEN, iniciativa ka qenë e imja. Është ligji i cili është gjithë-përfshirës, i kemi shqyrtuar dy mundësi të këtij ligji, një ligj të përbashkët edhe me “Branitellat” ku do të inkorporohen edhe ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare apo realisht, të dëmtuarit nga lufta e 2001-shit. Verzioni tjetër është version veçmas për ish ushtarët e UÇK-së. Nuk është diçka e re, por është në përpunim e sipër. Në atë ligj ngërthehen të drejtat e barabarta për të gjithë ata të cilët kanë qenë të involvuar në konfliktin e 2001-shit, sikur për forcat mbrojtëse ashtu edhe për ish ushtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre”, tha Shaqiri.