Zëvendëskryeministri i parë dhe kryetar i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në takimin me strukturat e partisë në Strugë për themelimin e degës lokale, theksoi angazhimin për zgjidhjen e çështjeve të mbartura ndër vite dhe kritikoi ashpër opozitën shqiptare dhe politikën e saj të kaluar.
“Nuk kanë të drejtë të flasin ata që për 20 vite kanë pasur pushtetin dhe nuk kanë arritur të kontribuojnë mjaftueshëm për shqiptarët. Ne jemi vetëm gjashtë muaj në qeveri dhe kërkojmë një mandat, jo 20 vite, për të treguar ndryshimin” deklaroi Mexhiti.
Një prej vendimeve të rëndësishme që u prezantua ishte rregullimi i statusit të qindra të punësuarve me kontrata të përkohshme, të cilët ishin lënë në pritje dhe të manipuluar për qëllime politike.
“Ne sot kemi sjellë një vendim në qeveri për të zgjidhur statusin e qindra të punësuarve që i kanë lënë me vite në pasiguri, duke i manipuluar për vota. Ne veprojmë ndryshe – nuk kemi ardhur në pushtet për t’u hakmarrë, por për të sjellë drejtësi dhe stabilitet” theksoi ai.
Duke kritikuar opozitën aktuale shqiptare, të cilën e quajti “të kapurit e Mijallkovit dhe Gruevskit”, Mexhiti nënvizoi se shqiptarët duhet të analizojnë faktet dhe të kuptojnë rrethanat aktuale.
“Imagjinoni se çfarë do të bënin ata në një qeveri ku OBRM-PDUKM dhe ZNAM do të kishin shumicën absolute prej 65 deputetësh,” tha ai.
Izet Mexhiti nga Struga paralajmëron investimin 1 milionë euro për ujësjellësin
Ai gjithashtu nënvizoi se Struga i përket të gjithë shqiptarëve, duke theksuar:
“Ne kemi kërkuar hisen për Strugën tonë, sepse Struga nuk është as e BDI-së, as e Lëvizjes Demokratike, as e asnjë partie politike, por kjo është Struga e shqiptarëve.”