Ministria e Financave-Maqedoni: Është shlyer euroobligacioni i emetuar në vitin 2018, në vlerë prej 500 milionë eurove

Maqedonia

Ministria e Financave-Maqedoni: Është shlyer euroobligacioni i emetuar në vitin 2018, në vlerë prej 500 milionë eurove

Më: 20 janar 2025 Në ora: 13:50
Foto ilustrim

Ministria e Financave në Maqedoninë e Veriut njofton se ka shlyer euroobligacionin e emetuar në vitin 2018, në vlerë prej 500 milionë eurove.

“Sot shlyem në tërësi euroobligacionin e emetuar në vitin 2018, në vlerë prej 500 milionë eurove, i cili u maturua për pagesë më 18 janar 2025. Me qëllim që të sigurohen mjete me shpenzime më të ulëta për pagesën e këtij euroobligacioni, u nënshkrua Marrëveshja e huasë me Bankën Eksport-Import nga Hungaria. Me anë të kushteve me të cilat i siguruam këto mjete, u bënë kursime në buxhet mbi bazën e interesit dhe provizioneve. Do të vazhdojmë me politikat e servisimit të rregullt dhe në kohë të detyrimeve dhe sigurimin e mjeteve me kushte më të favorshme”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe shtoi se në vitin 2025 filluam me financat publike stabile dhe likuide që do të sigurojnë servisim të rregullt dhe në kohë të detyrimeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Nga Ministria e Financave thonë se mjetet për servisimin e këtij detyrimi, i cili maturoi më 18 janar të vitit 2025, u siguruan nëpërmjet huasë nga Banka Eksport Import e Hungarisë, me kushte të favorshme me interes prej 3.25%, me afat shlyerjeje prej 15 vjetësh, duke përfshirë periudhën grejs prej 3 vitesh.

“Vendi deri më tani ka emetuar 9 euroobligacione, gjashtë prej të cilave tashmë janë paguar dhe në vitet në vijim maturojnë për pagesë edhe 3 euroobligacione të tjera të emetuara në vitin 2020, 2021 dhe 2023 në vlerë të përgjithshme prej 1.9 miliardë eurove”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat