Kreu i ri i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski zotohet se do ta kthejë besimin e qytetarëve te institucioni që drejton.
Në intervistë për Alsat, ai komentoi edhe paralajmërimin për shkarkimin e mundshëm të pesë anëtarëve të Këshillit të cilët i zgjedh kuvendi. Kambovski thotë se vendimi është i legjislativit por vlerëson se përgjegjësia duhet të jetë individuale.
“E kam thënë më shumë se një herë që jam për përgjegjësi individuale, jo për përgjegjësi kolektive. A do të nisë Kuvendi apo jo procedurë, nuk e di, kështu që, i takon një pushteti tjetër, duhet të bashkëpunojnë të tre organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, jam i sigurt se kur veprojnë, autoriteti legjislativ, pra Kuvendi, do t’i kushtojë vëmendje edhe ligjeve, kushtetutës, i cili në fakt i nxjerr vetë ato ligje”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Ndërsa në fazë hartimi është ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të jetë gati brenda qershorit, Kambovski shpreson se ligji do të shkurtojë kohëzgjatjen e procedurave kur ky organ të vendosë për një rast konkret.
“Procedurat që i zhvillojmë mund të përshpejtohen, sepse jemi dëshmitarë se procedurat janë relativisht të gjata kurse qytetarët janë të padurueshëm për vendimet e Këshillit, ne jemi ende të lidhur me disa norma ligjore dhe veprimet janë në përputhje me ato norma ligjore. Do të ishte mirë që aty të bëhej ndonjë ndryshim, që Këshilli Gjyqësor të vepronte me efikasitet dhe shpejtësi më të madhe”, u shpreh Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Kambovski u zgjodh në mënyrë unanime si kryetar i ri më 3 janar, ndërsa 1 vit është anëtar i këshillit. Ai vjen në krye të detyrës në kohën kur Këshilli përballet me kritika të vazhdueshme për punën e tij nga pushteti ekzekutiv, prandaj ky organ është nën monitorim të posaçëm publik. Ai pritet të mbajë nesër seancën e parë si kryetar.