Kasami: Tetovarët duan që edhe një mandat të jem në krye të Tetovës

Maqedonia

Kasami: Tetovarët duan që edhe një mandat të jem në krye të Tetovës

Më: 21 janar 2025 Në ora: 23:11
Bilall Kasami

Kryetari i Lëvizjes BESA, njëherit edhe kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në intervistën në Alsat, tha se, po do të kandidojë edhe për një mandat në Komunën e Tetovës. Ai theksoi se deri më tani janë bërë shumë punë, por ka edhe shumë projekte në të cilat punohet dhe duhet më shumë kohë për tu realizuar.

“Patjetër që ka shumë punë që janë realizuar në Komunën e Tetovës, por ka edhe shumë punë që kërkojnë më shumë se katër vite për ti realizuar. Na presin shumë punë në Komunë të Tetovës, shumë projekte dhe sigurisht se unë vlerësoj se më duhet së paku edhe një mandat për ti përmbyllur këto projekte. Do të kisha thënë se dy mandate janë të mjaftueshme, i treti ndoshta mund të jetë i tepërt. Prej sot mund të paralajmëroj se po, nëse bëhet fjalë për interes të Tetovës dhe tetovarëve, do të garoj edhe për një mandat, nëse do të marrë përkrahje do të vazhdojmë këto projekte të cilat jemi duke i realizuar, por vlerësoj që jashtë kësaj, çdo kush që mund të ofrojë mund të ofrojë për tetë vite, më shumë se tetë vite është e tepërt”, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Në pyetjen nëse ka mbështetje nga partnerët e Koalicionit VLEN, kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha se në parim ka dakordësi që çdo kush aty ku menaxhohet me pushtetin lokal të vazhdojnë po të njëjtat subjekte politike.

Unë besoj që shumë shpejtë do të kemi një marrëveshje të përgjithshme ku do të përcaktohet ajo se si do të shkojmë në zgjedhjet lokale. Parimisht jemi dakorduar se si do të shkojmë bashkë, por ndarja e përgjegjësive në nivel lokal, ende nuk është përcaktuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat