Gjykata Penale në Shkup ka vendosur t`i amnistojë organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit 2017, një vendim që ka nxitur debate dhe reagime të forta. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se autorët nuk mund të quhen terroristë dhe kritikoi procesin si të politizuar.
Pas vendimit të Gjykatës Penale në Shkup për të amnistuar organizatorët e ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski tha se autorët e këtyre ngjarjeve nuk mund të quhen terroristë.
“Fakti është se, nëse nuk ka organizatorë, nuk mund të ketë terroristë. Askush nuk thotë se ata njerëz nuk kanë bërë gabim apo nuk kanë kryer shkelje, por ata kanë kaluar mjaft kohë në burg për atë krim. Ata që kanë udhëhequr një proces të politizuar duhet të mendojnë për atë që po bëjnë”, tha ai.
Nga VLEN kanë akuzuar prokurorët e BDI-së për dhënien e mendimit pozitiv mbi amnistinë, duke shtuar se kjo parti ka liruar personat që tentuan të sulmonin partnerin e tyre, Ziadin Selën.
“Prokuroria e udhëhequr nga Islam Abazi ka dhënë mendim pozitiv për amnistimin e organizatorëve të 27 prillit. Deputetëve të BDI-së nuk iu prek asnjë fije floku, ndërsa një nga më të lënduarit ishte Ziadin Sela. A do të vazhdojë ai të mbështesë Frontin Europian?”, thekson Drilon Sulejmani nga VLEN,
Në një reagim me shkrim, BDI e dënoi vendimin, duke e quajtur drejtësi selektive dhe një goditje ndaj demokracisë dhe barazisë.
"Shqiptarët dhe të gjithë qytetarët që besojnë në demokraci dhe barazi nuk do të pranojnë që drejtësia të shndërrohet në një instrument politik të privilegjuarve", thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.