E gjithë procedura për mjetet nga kredia hungareze të destinuara për kompanitë, sipas njoftimeve të autoriteteve, duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. Të martën në seancë qeveritare pritet të kalojë Marrëveshka pas së cilës do të nënshkruhet marrëveshja me bankat dhe praktikisht me këtë duhet të funksionalizohen edhe paratë nga kredia.
Marrëveshja, siç deklaroi dje kryeministri Hristijan Mickoski, është finalizuar dhe pritet të kalojë në seancën e Qeverisë të martën.
“Shpresoj se deri në fund të këtij muaji do të përfundojë gjithçka, do të nënshkruhet me bankat dhe i bëj thirrje operatorëve ekonomikë që të përgatisin projekte dhe të aplikojnë për t’i marrin kreditë nga bankat komerciale”, tha Mickoski gjatë vizitës në Komunën e Petrovecit.
Paratë fillimisht ishte menduar të ishin funksionale deri në fund të vitit të kaluar. Vonesa, siç deklaroi kryeministri dje, ka ardhur për faktin se është zgjeruar fushëveprimi i kompanive që do të mund të aplikojnë, përkatësisht, përveç për kapacitete të reja prodhuese dhe pajisjeve të reja, mjete nga kredia hungareze do të mund të alokohen edhe për burimet e rinovueshme të energjisë, si dhe për objektet që kompanitë do t’i përdorin si ndërtesa administrative.
“Analiza thotë se 250 milionë euro në vit është kërkesa e operatorëve ekonomikë për të marrë kredi. Nëse i kufizoni mundësitë, atëherë kufizohen edhe operatorët ekonomikë dhe mund të ndodhë që nga ato 250 milionë euro të përdoren vetëm 120, 150 apo 180 milionë euro dhe të mbetet pjesa tjetër. Për këto arsye, ne duam të zgjerojmë gjithçka që do të ketë ndikim pozitiv në BPV-së dhe ekonominë maqedonase. Por tani gjithçka është përcaktuar, është përfunduar, përmbajtja e marrëveshjes është gati”, theksoi Mickoski.
Oda Ekonomike e Maqedonisë në një konferencë për shtyp të hënën deklaroi se kanë arritur qëllimin e tyre që një numër i madh i kompanive të marrin pjesë në marrjen e kredisë.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë dhe informacionet e fundit nga atje janë se të gjitha kompanitë do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi, që do të thotë se mund ta përdorin atë për qëllimet dhe nevojat e tyre. Shlyerja e kredisë po ngadalësohet, por ne ishim këmbëngulës për ta bërë këtë dhe morëm pikërisht atë që kërkonim përmes negociatave që ishin të mundimshme. Arritëm të marrim atë që është e nevojshme që të gjitha kompanitë tona të mund të aplikojnë për kredi”, tha të hënën Natasha Janevska nga Oda Ekonomike.
Nga kredia hungareze, 250 milionë euro janë të destinuara për kompanitë. Kompanitë do të duhet të kenë një minimum prej 20 për qind të kapitalit, dhe shuma maksimale që mund të marrin është 10 milionë euro. Kompanitë do t’u paguajnë bankave një normë interesi prej 1.95 për qind, me grejs periudhë prej tre vjetësh dhe periudhë shlyerjeje prej 12 vjetëve.
Marrëveshjen për kredinë në vlerë gjithsej 500 milionë euro, në emër të Qeverisë, e ka nënshkruar më 8 tetor në Budapest ministrja e Financave Gordana Dimitrievska-Koçovska me Bankën hungareze eksport-importit.
Kryeministri Mickoski dje konfirmoi se ka ardhur kësti i dytë i kredisë në vlerë prej 500 milionë euro dhe se eurobono i vitit 2018, i cili kishte afat në fillim të këtij viti, është kthyer.