LSDM: Prilepi nuk ka stacione matëse për cilësinë e ajrit

Maqedonia

LSDM: Prilepi nuk ka stacione matëse për cilësinë e ajrit

Më: 29 janar 2025 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Partia maqedonase në opozitë LSDM, thotë se pushteti lokal i OBRM-PDUKM-së-së po helmon qytetarët e Prilepit. Nga LSDM thonë se prej ditësh ndotja e ajrit në qytet është e dukshme me sy të lirë.

“Ajri jashtëzakonisht i ndotur pickon sytë, hundën dhe fytin. Përderisa në qytetet e tjera të rrënuara nga i njëjti problem, kryetarët e komunave kërkojnë zgjidhje për t’u përballur me ajrin e ndotur, Borçe Jovçeski nuk ka një mendim të tillë”, thotë Ivona Kuzmanoviq, anëtare e Këshillit të Komunës së Prilepit nga radhët e LSDM-së.

“Për Jovçeskin dhe OBRM-PDUKM-në, banorët e Prilepit nuk kanë problem me ndotjen, sepse stacionet matëse nuk tregojnë një gjë të tillë. Dhe nuk e tregojnë sepse nuk ekzistojnë. Prilepi është i vetmi qytet në Maqedoni që nuk ka stacione monitoruese për matjen e cilësisë së ajrit, prandaj nuk e dimë shkallën e ndotjes së tij”.

“Por ajo që dimë është se po thithim ajër kancerogjen, se ajri i ndotur po merr një numër gjithnjë e më të madh jetësh çdo vit dhe se qeveria e OBRM-PDUKM-së, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, as nuk ka ndërmend dhe as nuk di se si të merret me problem. Në fund të fundit, Jovçeski dhe OBRM-PDUKM-ja asnjëherë nuk janë shprehur për këtë temë dhe nuk kanë treguar shqetësim për shëndetin e prilepitëve. Këtë e dëshmon edhe fakti se nuk i realizuan mjetet prej 1.5 milionë euro që Qeveria e LSDM-së i ndau për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe se lejuan që deponia afër Alincit të digjet dhe të ndotet më tej edhe në dimër”, tha Kuzmanoviq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat