Thirrjet në rrjetet sociale për të bojkotuar supermarketet e mëdha të premten, kanë marrë një kuptim më serioz pasi u mbështetën nga shoqata, lëvizje, madje edhe faktorë politikë.
Ideja është të bojkotohen supermarketet të premten, duke ndjekur shembullin e Kroacisë, dhe në këtë mënyrë të tregohet revoltë ndaj çmimeve të larta në dyqane.
Në vendet e rajonit ka rezistencë më të organizuar. Në Kroaci tashmë ka pasur një bojkot të premten e kaluar dhe ka rezultuar i suksesshëm, ndërsa në Serbi organizata “Efektiva” ka bërë thirrje për bojkotimin e katër rrjeteve të supermarketeve që thonë se manipulojnë çmimet.
Kroatët ishin të parët që filluan këto aksione, të cilët po vazhdojnë me masa më radikale, duke pasur parasysh se ka thirrje për të mos bërë pazar për një javë të tërë. Ka pasur njoftime për bojkot të supermarketeve dhe rrjeteve të mëdha si në Bosnje dhe Hercegovinë ashtu edhe në Slloveni.