Zv. kryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, zv. ministri i Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski janë në një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës me ftesë të Liburn Aliju, Ministër i Transportit Republika e Kosovës.
Në kuadër të vizitës u takuan me ministrin e Transportit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliju, me ç’rast u bisedua për realizimin e projekteve kapitale që janë me interes të përbashkët për të dyja vendet. Krahas takimit u bë një pasqyrë e disa projekteve infrastrukturore që po kryhen në Kosovë.
Në takim u ngrit çështja e lidhjes hekurudhore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës, si dhe ndërtimi i stacionit të përbashkët hekurudhor që do të lehtësonte procedurat kufitare në transportin e mallrave dhe udhëtarëve.
Gjithashtu u bisedua edhe për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren me ndërtimin e një tuneli të përbashkët e cila do të jetë edhe si një pikë kufitare në mes Maqedonisë dhe Kosovës. Të dy palët u pajtuan që të formohen grupe punuese që do të mundësojnë realizimin e këtij projekti.