Instituti për hulumtimin e gjenocidit Kanada (IGK) ka reaguar pas skandalit diplomatik të kreut të etnitetit të Republikës Serbe në Shkup, duke thënë se mohimi i vazhdueshëm nga Milorad Dodik e bën të qartë se ai nuk i shërben shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, por përkundrazi i shërben sipërmarrjes anticivilizuese të mishëruar në fushatën nacionaliste serbe.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për Marrëveshjen e Paqes së Ohrit, Ivan Stoiljkoviq, priti në Shkup presidentin e Republikës Serbe Milorad Dodik. Në tavolinë ishin flamujt e entitetit së RS dhe Maqedonisë së Veriut, pa flamurin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, që është një mosrespektim i hapur për shtetin e BeH-së.
Instituti për hulumtimin e gjenocidit Kanada thotë se vendosja e flamurit të një entiteti, pa flamurin shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës, është mbështetje për politikën separatiste të Dodik.
“Mohimi i vazhdueshëm i shtetit të BeH nga Dodiku e bën të qartë se ai nuk i shërben shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, por përkundrazi i shërben sipërmarrjes anticivilizuese të mishëruar në fushatën madhështore nacionaliste serbe antiboshnjake kundër shtetit të BIH. Qëndrimi i tij imoral, çnjerëzor dhe jo human ndaj shtetit të Bosnjë-Hercegovinës flet qartë për karakterin e personalitetit dhe opsionin e tij politik”, thuhet në reagim.
Instituti për hulumtimin e gjenocidit Kanada u bën thirrje autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut që t'u kërkojnë falje qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe në të ardhmen të respektojnë shtetin e Bosnjë-Hercegovinës duke respektuar simbolet e tij shtetërorë.
“Sjelljes anticivilizuese ndaj shtetit të Bosnjë-Hercegovinës duhet t'i përgjigjemi në mënyrë të vendosur dhe të përshtatshme. Nuk mund të shikohen në heshtje fyerjet dhe poshtërimet e vazhdueshme të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, organeve dhe qytetarëve të saj, ndaj të cilëve ata janë ekspozuar për një kohë të gjatë. Mbrojtja e plotë e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe simboleve të tij shtetërore, integritetit territorial, sovranitetit, pavarësisë, shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar politik e juridik është një akt shumë moral dhe thellësisht i drejtë që duhet të zbatohet menjëherë nga të gjitha organet shtetërore, ambasadat, institucionet shtetërore, misione diplomatike, institucione dhe zyrtarët shtetërorë pa u mbështetur në një bashkësi ndërkombëtare inerte”, përfundon reagimi i IGK-së.
Në Shkup, në një manifestim me rastin e festës së Shën Savës, nën kujdesin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka ndodhur një incident diplomatik, i orkestruar nga Milorad Dodik, i cili dërgoi mesazhe duke mohuar edhe një herë gjenocidin ndaj boshnjakëve, i cili u vendos nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
Dodik e përdori fjalimin e tij në manifestim për të shprehur pikëpamjet antievropiane, për të mbështetur presidentin rus Vladimir Putin dhe për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë.
Në manifestim morën pjesë edhe patriarku serb Porfirije dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe Nenad Stevandiq.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka shprehur mos pajtimin e tij me qëndrimet e Dodik kundër NATO-s dhe BE-së, duke thënë se nuk priste deklarata të tilla politike në këtë manifestim.
“Kur bëhet fjalë për pjesën e fjalimit që i referohet antiNATO-s, antiBE-së - unë e refuzoj kategorikisht këtë dhe nuk jam dakord me të. Sinqerisht, nuk e prisja që ai të shpërdoronte hapësirën për të dhënë mesazhe të tilla, në fund të fundit ishte akademi ceremoniale, jo një vend ku dërgohen mesazhe të tilla politike”, tha Mickoski.