Toshkovski: Vdekja e 22-vjeçares në Shkup nuk është vetëm aksident, por rezultat i të metave të sistemit

Maqedonia

Toshkovski: Vdekja e 22-vjeçares në Shkup nuk është vetëm aksident, por rezultat i të metave të sistemit

Më: 31 janar 2025 Në ora: 14:24
Pançe Toshkovski

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ka reaguar në lidhje me vdekjen e 22-vjeçares, e cila u godit për vdekje me makinë nga një shofer 20-vjeçar. Toshkovski shkruan se vdekja e saj nuk është vetëm aksident, por rezultat i të metave të sistemit.

“Si ministër i Brendshëm, por mbi të gjitha si burrë dhe si baba, nuk mund të mos ndaj ankthin dhe revoltën që po ndjejmë të gjithë këto ditë. Frosina Kulakova, një vajzë e re me një të ardhme të ndritur, nuk është më, sepse jetën ia mori dikush që nuk duhej të ishte kurrë në timon. Ky nuk është vetëm një aksident, ky është rezultat i të metave të sistemit që u mundëson autorëve të përsëritur të mbeten jashtë kontrollit të institucioneve”, shkruan ministri Pançe Toshkovski.

Sipas Toshkovskit, opinioni me të drejtë pyet, si është e mundur që një person me precedentë penalë, pa patentë shofer, me një numër të madh të shkeljeve të mëparshme në komunikacion, të jetë sërish në timon?

“Këto nuk janë vetëm dilema për diskutim, por një problem real dhe serioz që kërkon zgjidhje konkrete dhe urgjente. Me këtë rast MPB-ja e ka proceduar në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase autorin, është ndaluar, janë bërë analizat e gjakut dhe urinës dhe janë siguruar të gjitha provat përkatëse. Por kjo nuk e kthen mbrapsht Frosinën dhe nuk e ndryshon faktin që sistemi lejoi një recidivizëm të tillë. Këtu duhet rishqyrtuar nëse zgjidhjet ligjore ekzistuese janë të mjaftueshme? A sjellin rezultat masat edukative për autorët e krimeve të rënda apo krijojnë vetëm viktima të reja? A është niveli i sanksioneve penale për krimet më të rënda në fushën e trafikut apo është shumë i butë për të pasur një efekt real parandalues?”, shkruan ministri i Brendshëm duke shprehur ngushëllimet për vdekjen e vajzës së re.

Sipas tij, në vendin tonë çdo vit humbin jetën në aksidente trafiku mbi 140 persona. Kjo shifër, thekson ai, është e papranueshme dhe duhet të na detyrojë të bëjmë ndryshime thelbësore.

“Detyrimi ynë si shtet është të parandalojmë tragjedi të tilla. Ndaj, po punohet fort që të vëmë në funksion sa më shpejt sistemin “Qytet i sigurt”, i cili do të mundësojë sanksionimin automatik të shkeljeve rrugore, pa drejtësi selektive, pa justifikime, pa ndikimin e faktorit njerëzor. Kontrolli do të jetë më i rreptë, ndëshkimet të pashmangshme. Por, asnjë zgjidhje teknike nuk do të mjaftojë nëse sistemi i drejtësisë nuk garanton sanksione adekuate, veçanërisht për ata që një herë kanë treguar se janë rrezik për të tjerët”, thekson ministri Toshkovski.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat