Grup i punës në Ministrinë e Drejtësisë po punon ende për ndryshimet e ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, si pjesë e reformave të paralajmëruara në sistemin e drejtësisë. Por edhe kur teksti ligjor të përgatitet plotësisht, së pari do të duhet të marrë dritën jeshile nga Komisioni i Venecias, në mënyrë që të mund të zbatohet në praktikë, shprehen nga Ministria e Drejtësisë për Alsat.
“Është formuar grupi i punës për përgatitjen e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor që do të shtrëngojë kriteret për zgjedhjen e anëtarëve, procedurat disiplinore, transparencën, kohëzgjatjen e mandatit. Pasi të jetë gati, drafti do t ‘i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Pasi ky version, i cili nuk është dërguar ende në Komisionin e Venecias, të marrë dritën jeshile dhe të kthehet në vend, atëherë do të duhet të miratohet në qeveri dhe më pas t’u dërgohet deputetëve për votim. E gjithë kjo, sipas agjendës reformuese të Qeverisë, duhet të përfundojë deri në qershor të këtij viti, që është plan ambicioz veçanërisht nëse marrim parasysh se kur ligji për përdorimin e gjuhëve u dërgua në Komisionin e Venecias për mendim, u prit një vit për përgjigje. Muajin e kaluar, përsëri, gjykatësit nga të katër qarqet e apelit në vend dhanë sugjerimet e tyre për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe të gjithë gjykatësit ishin unanimë në pikëpamjen se është i nevojshëm profesionalizëm më i madh nga vetë anëtarët e Këshillit Gjyqësor në zbatimin e ligjit.
“Debatet publike kanë vënë në dukje pikëpamje mjaft unike se është e nevojshme rritja e ekspertizës dhe profesionalizmit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, si dhe transparenca dhe efektiviteti në procedurën e zgjedhjes së tyre, si dhe baza të qarta për përgjegjësinë e tyre, duke siguruar mekanizma të përshtatshëm dhe efektivë për funksionimin e tyre të përgjegjshëm dhe efikas”, theksuan nga Ministria e Drejtësisë.
Nga ajo që dihet deri më tani në opinion, ndryshimet e reja do të përfshijnë kritere më të larta për zgjedhjen e një anëtari të këshillit. Për herë të parë, me këto ndryshime ligjore, një propozim për zgjedhjen e një anëtari të këshillit nga radhët e avokatëve do të mund të bëhet nga Shoqata e Avokatëve, do të mund të zgjidhet edhe një profesor me propozimin e konferencës interuniversitare, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.