Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë reaguar pas deklaratës së fundit të kreut të LD-së, Izet Mexhiti, i cili tha se në zgjedhjet lokale koalicioni VLEN do të bashkëpunojë me OBRM-PDUKM-në.
Nga BDI thonë se dallimi mes tyre dhe VLEN është se ata e marrim fuqinë nga populli, kurse sipas tyre, VLEN e marrin nga të tjerët.
“Deklaratat e fundit mbi të ashtuquajturën “mbështetje të ndërsjellë” me OBRM-PDUKM-në, për zgjedhjet lokale nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një iluzion force aty ku nuk ka as mbështetje, as legjitimitet. Realiteti është i qartë: ata nuk mund të fitojnë asnjë garë pa ndihmën e të tjerëve, sepse shqiptarët tashmë i kanë refuzuar. Në zgjedhjet e fundit, shqiptarët dhanë një mesazh të qartë: ata nuk i shohin si përfaqësues të tyre. Koalicioni i tyre u refuzua nga votuesit dhe sot, me një parti që nuk kalon as 1% mbështetje, nuk po përpiqen të rikthejnë besimin e shqiptarëve, por po kërkojnë shpëtim diku tjetër.
Prandaj, kanë zgjedhur t’i dorëzohen një partie maqedonase, duke shpresuar se votat e saj do t’i mbajnë politikisht në lojë. Por shqiptarët e dinë mirë: një parti që nuk ka mbështetje mes shqiptarëve nuk mund të fitojë për shqiptarët, e aq më pak të udhëheqë komunat shqiptare. Përtej fjalëve dhe justifikimeve, e vërteta është e thjeshtë: kush nuk ka mbështetjen e popullit të vet, nuk mund të marrë përsipër të përfaqësojë askënd. Ky është dallimi i madh: ne e marrim fuqinë nga populli, ndërsa ata po përpiqen ta marrin nga të tjerët. Fitorja nuk blihet, as nuk huazohet. Fitorja fitohet. Dhe ne do ta fitojmë sërish!”, thonë nga BDI.