BDI dhe VLEN në përplasje pas deklaratës për bashkëpunim me VMRO-DPMNE

Maqedonia

BDI dhe VLEN në përplasje pas deklaratës për bashkëpunim me VMRO-DPMNE

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 20:20
Ilustrim

Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Maqedonisë Veriore, Izet Mexhiti, se VLEN do të bashkëpunojë me VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale, ka reaguar BDI. Këta të fundit e kanë cilësuar këtë si një përpjekje të dëshpëruar për të krijuar një iluzion.

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë përplasur pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, i cili tha për mediat në Shkup se VLEN dhe VMRO-DPMNE do të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale që do të mbahen gjatë këtij viti.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një reagimi me shkrim vlerësojnë se "deklaratat e fundit mbi të ashtuquajturën 'mbështetje të ndërsjellë' me VMRO-DPMNE-në për zgjedhjet lokale nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një iluzion force aty ku nuk ka as mbështetje, as legjitimitet.

Realiteti është i qartë: ata nuk mund të fitojnë asnjë garë pa ndihmën e të tjerëve, sepse shqiptarët tashmë i kanë refuzuar," thuhet në deklaratën me shkrim të BDI-së.

Nga koalicioni VLEN i janë përgjigjur BDI-së përmes një komunikate për media, ku theksojnë se "çdokush që e ka nënvlerësuar inteligjencën e shqiptarëve është penduar, herët apo vonë.

Meqë kjo udhëheqësi arrogante, e korruptuar dhe e kapur e BDI-së vazhdon ta injorojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve, shumë shpejt do të marrë ndëshkim të ashpër.

Epshi i tyre për të qenë në pushtet me çdo kusht do të rezultojë në një referendum kundër tyre në zgjedhjet lokale," thuhet në komunikatën e lëshuar nga VLEN.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut zhvillohen çdo katër vjet. Ato mbahen në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e administratës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat