Murtezani: Besueshmëria e procesit të anëtarësimit është vendimtare për perspektivat e BE-së

Maqedonia

Murtezani: Besueshmëria e procesit të anëtarësimit është vendimtare për perspektivat e BE-së

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 13:24
Orhan Murtezani

Ministri i Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, gjatë vizitës së tij të punës në Greqi, u takua me nënkryetarin e Kuvendit të Greqisë dhe kryetar të Komisionit për Çështje Evropiane, Ioannis Plakiotakis.

Në takim u theksua roli i diplomacisë parlamentare në avancimin e dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.

U diskutuan mundësitë për forcimin e komunikimit ndërmjet parlamenteve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta të fqinjësisë së mirë.

Fokusi i bisedimeve ishte integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ministri Murtezani theksoi nevojën për ruajtjen e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit, veçanërisht në kuadër të sfidave që po kalon vendi në rrugën drejt fazës së ardhshme të negociatave. Gjithashtu, u diskutua edhe për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e konvergjencës ekonomike me BE-në. Pala maqedonase shprehu interesim për thellimin e bashkëpunimit me Greqinë, veçanërisht në fushën e lidhjes infrastrukturore dhe sigurisë energjetike.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për proceset dypalëshe që janë në procedurë parlamentare, duke theksuar se përmbushja e angazhimeve të marra është kyçe për ndërtimin e besimit dhe ruajtjen e dinamikës së bashkëpunimit.

Të dyja palët ranë dakord se një qasje konstruktive dhe dialogu politik gjithëpërfshirës mbeten thelbësore për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat