Ahmeti: Duhet të ketë veting brenda partive, të përfshihen të gjithë funksionarët

Maqedonia

Ahmeti: Duhet të ketë veting brenda partive, të përfshihen të gjithë funksionarët

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 19:07
Ali Ahmeti

Nevojitet veting për partitë politike që të mos shndërrohen në prokurorë publik apo gjyqtarë, deklaroi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti.

Në takimin me anëtarët dhe simpatizantët e BDI-së në Manastir, Ahmeti theksoi se duhet hetim për procesin e privatizimit dhe origjinën e pasurisë së të gjithë politikanëve dhe funksionarëve në vend.

“Që të ketë sundim të së drejtës dhe qytetarët të kenë besim te institucionet, duhet të ketë veting. Që partitë politike të mos shndërrohen në prokurorë publik apo gjyqtarë, duhet veting brenda partive politike, për krerët e partive politike dhe për të gjithë funksionarët”, tha Ahmeti.

Në deklaratën për media, ai ka thënë se alternativa e vetme për vendin është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Kemi biseduar me qytetarët mbi domosdoshmërinë e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian si alternativë e vetme. Është mirë që kemi një pjesëmarrje të madhe në këto takime dhe jemi të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve për t’u sqaruar atyre forcimin e marrëdhënieve ndëretnike në vendin tonë si një nga çështjet e rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe demokracinë funksionale. Po flasim me popullin, sepse vendi ynë ka nevojë për sundim të ligjit”, ka thënë Ahmeti gjatë qëndrimit të sotëm në Manastir.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat