Synimi i shtetit për t’ua dhënë me koncesion Liqenin e Ohrit shtatë koncesionerëve të ndryshëm për peshkim komercial për 12 vjet, vetëm do ta përkeqësojë situatën edhe ashtu të keqe që aktualisht mbizotëron në liqen, thonë shoqatat e peshkatarëve. Liqeni prej më shumë se 5 vitesh është pa koncesioner, pasi atij të mëparshmit iu konfiskua licenca.
“Për fat të keq, kjo do të ishte fatkeqësi. Do të lejohet të hyjnë një ose dy kilometra, disa sasi janë ndarë për peshkim e 5 ton troftë, 8 tonë belushkë, por përvojat me koncesionerin e mëparshëm tregojnë se Qeveria me një vendim e ndryshon këtë dhe lejon tre herë më shumë. Deri tani nuk kanë mundur të kontrollojnë një koncesioner, e lëre më të kontrollojnë shtatë koncesionerë. Ata do të grinden me njëri-tjetrin në liqen”, tha Radovan Dimitrievski – Shoqata “E vërteta e peshkatarit”.
Tashmë janë përzgjedhur gjashtë nga gjithsej shtatë koncesionerë. Ministrja e Bujqësisë premton se në këtë mënyrë do të ketë kontroll më të madh.
“Tashmë jemi duke biseduar me policinë kufitare dhe me inspektoratin e bujqësisë, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt si institucion kompetent për monitorimin e gjithë procesit. Ligjet duhet të respektohen, këtu nuk do të ketë lëshime”, u shpreh Cvetan Tripunovski – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave.
Por, Dimitrievski paralajmëron se edhe tani çdo ditë ilegalisht kapen nga 500 kilogramë deri në një ton peshk.
“Peshkimi ilegal po lulëzon, duhet të shkojmë nëpër restorante, ata shesin kush e di se sa kilogram troftë Ohri dhe nuk kanë nga ku e blejnë. Është për të ardhur keq që në këto pesë vite që nuk ka asnjë koncesioner, askush nuk ka ndërhyrë për të kontrolluar peshkimin. Kam disa denoncime për autor të panjohur, nuk kemi autorë të njohur”, shtoi Radovan Dimitrievski – shoqata “E vërteta e peshkatarit” .
Përveç peshkimit komercial, shteti e jep me qira Liqenin e Ohrit edhe për peshkim rekreativ për 12 vjet.