Toshkovski paralajmëron qasje të re për shkeljet në komunikacion

Maqedonia

Toshkovski paralajmëron qasje të re për shkeljet në komunikacion

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 19:04
Pançe Toshkovski

Qasje të re ndaj shkeljeve në komunikacion përmes SMS-ve dhe kamerave në pikat e zeza, ka paralajmëruar sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në forumin me titull “Thelbi i problemit – ligje të këqija apo zbatim i keq?”. Ai tha se po punohet për implementimin e zgjidhjeve të reja dhe efikase për përmirësimin e kulturës dhe sigurisë në komunikacion, siç është sistemi “Qyteti i sigurt”.

Sipas Toshkovskit, këto zgjidhje do të sigurojnë transparencë, trajtim të drejtë për të gjithë shkelësit dhe rritje të efikasitetit në zbatimin e ligjeve.

“Ajo që unë si ministër i Punëve të Brendshme e them edhe në kuadër të qeverisë teknike dhe veçanërisht në kuadër të kësaj qeverie e cila ka marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të së kaluarës, është se kur flasim për kulturën e komunikacionit dhe shkeljet në komunikacion dhe zbatimin e tyre, lirisht mund të them se kemi një sistem jofunksional që duhet të prodhojë rezultate me interes për qytetarët e Maqedonisë”, vlerëson Toshkovski.

Siç tha ministri, “jemi në një situatë ku aksidente të tilla të tmerrshme tërheqin me të drejtë vëmendjen e publikut”. Sipas tij, vreri në popull është i madh dhe populli “me të drejtë është i zemëruar”.

“Qytetarët janë të zemëruar sepse shohin dobësitë e sistemit që janë katastrofike dhe natyrisht kërkon zgjidhje”, theksoi Toshkovski.

Ai tha se që nga dita e parë e formimit të Qeverisë është duke u punuar në implementimin e sistemit “Qytet i sigurt” i cili duhet të sigurojë zgjidhje sistematike të problemeve të së kaluarës, ku të gjithë shkelësit do të evidentohen dhe do të merren masat adekuate.

“Që në ditën e parë të formimit të kësaj Qeverie, punojmë në zbatimin e sistemit ‘Qyteti i sigurt’ i cili duhet të prodhojë zgjidhje për problemet e së kaluarës. Me zbatimin e ‘Qytetit të sigurt’, këto probleme të grumbulluara në të kaluarën do të duhet të procedohen në kuadër të një zgjidhjeje sistematike, zgjidhje ku askush nuk do të mund të ndikojë, por çdo shkelës që vozit me shpejtësi të palejuar, do të parkohet në vend të ndaluar apo drejton një automjet të paregjistruar, do të regjistrohet nga vetë sistemi dhe do të merren masat e duhura”, shton Toshkovski.

Ministri theksoi se problemi më i madh në realizimin e projektit janë gjykatat, sepse mbrojtja gjyqësore për çdo kundërvajtje që kërkon marrje të lejes apo gjobë më të madhe është e pashmangshme, ndërsa shifrat e kundërvajtjeve në komunikacion janë katastrofale.

Ai iu referua edhe vendosjes së kamerave në “pikat e zeza” për rritjen e kulturës së trafikut dhe parandalimin e shkeljeve.

“Është mirë që Qeveria ka ndarë mjete për realizimin e këtij projekti jo vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, por në tërë territorin e Maqedonisë”, ka thënë tutje Toshkovski.

Ministri tha se parashihet procedurë efikase me SMS për shkeljet, ku shkelësi do të mund të konfirmojë shkeljen me link dhe fotografi brenda 24 orëve.

“Parashikojmë procedurë efikase të komunikimit mes shkelësit dhe MPB-së, ku shkelësi do të marrë një njoftim SMS brenda një afati të arsyeshëm prej 24 orëve dhe jo pas tre apo gjashtë vitesh. Përmes SMS-së do të marrë njoftim për shkeljen me link për informacionin e hapur dhe fotografi që do të sigurojë se ai në një interval të caktuar kohor në ndonjë bulevard ka bërë shkelje”, ka thënë Toshkovski.

Deputeti Lupço Prenxhov ka dërguar porosi se është e nevojshme që në vendin tonë të fillojnë ndryshimet, por edhe ne si shoqëri të fillojmë të respektojmë ligjet që të sundojë drejtësia.

“Duhet të fillojmë të evidentojmë ndryshimet. Duhet të jetë normale që kushdo që ka bërë diçka që është e ndaluar me ligj të përgjigjet për dënimet e parapara me ligj, të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe vetëm kështu do të kemi një shoqëri në të cilën do të kemi lajme shumë më pozitive dhe energji shumë më të mirë”, nënvizoi Prenxhov.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së Eli Panova theksoi se është e nevojshme transparencë, analizë dhe përgjegjësi e gjyqtarëve para Këshillit gjyqësor të cilët nuk e zbatojnë drejtësinë sipas ligjit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat