Për sfidën në “Tiktok” ku të rinjtë përdorin paracetamol, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se nuk ka informacione të tilla nga Toksikologjia. Taravari tha se duhet të ndërpriten ilaçet se përveç se ndihmojnë, ata kanë edhe efekte anësore.
“Deri tash prej klinikës së Toksikologjisë nuk kam informatë të tillë. Mendoj se duhet të ndërpritet se çdo ilaç është toksik, përveç që ndihmon ka edhe efekte anësore, nuk kam informata se është paraqitur ndonjë rast prej këtyre të rinjve që përdorin doza të paracetamolit”, tha Taravari.
Taravari foli edhe për stacionin e kompresorit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, nga i cili varen të gjitha operacionet në klinikat kirurgjikale, i cili zëvendësuar me një të ri pas 9 muajsh prishje. Vetëm një kompani ka aplikuar për tender dhe ka përfunduar punën brenda afatit të përcaktuar.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari thotë se stacioni i kompresorit tashmë është në funksion, ka 3 kompresorë të rinj, një instalim të ri dhe kompresori i vjetër do të jetë ende në përdorim për zëvendësim, nëse do të krijohet ndonjë situatë e pafavorshme.