Mungesa e stafit mjekësor në burgjet në të gjithë vendin, është të paktën 30 përqind, tha Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
Ai shpjegon se në burgjet në të gjithë vendin mungon një numër i madh mjekësh, dhe ka një numër të vogël mjekësh psikiatër që, sipas ligjit, duhet të ketë në çdo burg.
Sipas Ziberit, problemi kryesor për mungesën serioze të personelit mjekësor në burgje, është se Ministria e Shëndetësisë ka autoritetin për ta siguruar atë, jo Administrata e Zbatimit të Sanksioneve.
“Në këtë mënyrë ata janë përgjegjës ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, që siguron shërbimet shëndetësore për burgjet. Dhe mendoj se ky koordinim është një nga problemet që kemi”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Përveç problemit të mungesës së stafit mjekësor, Avokati i Popullit merr rregullisht parashtresa nga të burgosurit, në lidhje me cilësinë e kujdesit shëndetësor, mungesën e barnave dhe mundësinë e përdorimit të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar, që nuk mund të ofrohet brenda institucioneve shëndetësore, por edhe mungesën e terapisë në burgje për të varurit nga droga.