Ambasadori i BE-së në vend, Mikail Rokas tha në një intervistë për televizionin kombëtar se reforma në drejtësi është “nëna” e të gjitha reformave të tjera.
Ai thekson se kjo duhet të jetë prioritet dhe beson me vendosmëri se është themeli.
“Sapo të zbatohen reformat, korrupsioni mund të eliminohet dhe besimi i investitorëve do të rikthehet gjithashtu, gjë që është shumë e rëndësishme që vendi të përparojë”, tha Rokas.
Ai përkujtoi se ekspertët e BE-së kanë dhënë 40 rekomandime dhe sugjerime, si dhe raporte për gjendjen e gjyqësorit, dhe vuri në dukje Raportin e progresit për Maqedoninë.
“E gjithë kjo përmban gjithçka që duhet bërë për ta sjellë vendin në përputhje me standardet e BE-së në kontekstin e shtetit të së drejtës. Pra, e gjithë kjo është pjesë e procesit. Është e vërtetë që ka disa rekomandime për përbërjen dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, për shkarkimet dhe mekanizmat, por e gjithë kjo është pjesë e mekanizmave që duhen futur, përfshirë këtu ligjet e reja që duhet të zbatohen”, tha Rokas.
Rekomandimet tona, shtoi ai, nuk janë të drejtuara kundër individëve të caktuar në sistemin gjyqësor, por paraqesin një sërë rekomandimesh domethënëse që nëse zbatohen dhe miratohen ligjet do të mundësojnë forcimin e gjyqësorit dhe funksionimin e pavarur të tij.