Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka reaguar ndaj privimit nga liria të shtetasit të Kosovës në vendkalimin kufitar Bllacë, pasi siç thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme, personi i ndaluar ka pasur urdhër-arrest ndërkombëtarë.
Nga BDI e quajnë këtë veprim si shqetësues, pasi tregon se qytetarët e Kosovës ndjejnë pasiguri sa herë që udhëtojnë për në Maqedoninë e Veriut.
BDI ka kritikuar dhe koalicionin shqiptar në qeveri, pasi siç thuhet në reagim, janë të pafuqishëm përballë këtyre rasteve.
Reagimi i plotë:
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon ashpër arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, z. Emin Bajrami, më 14 shkurt 2025, në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ky është një tjetër rast i papranueshëm i zbatimit të fletarresteve të fabrikuara nga Serbia nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, e cila vazhdon të veprojë pa asnjë filtër verifikimi, duke rrezikuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Edhe më shqetësuese është fshehja për më shumë se 10 orë e këtij ndalimi nga opinioni publik, një veprim që vetëm sa shton dyshimet për qëllimet e vërteta të këtyre masave. Arrestime të tilla, të përsëritura dhe të padrejta, po ndodhin pikërisht në një periudhë kur Maqedonia e Veriut qeveriset nga një ekzekutiv i pafuqishëm dhe pa legjitimitet etnik. Përfaqësuesit shqiptarë në këtë qeveri kanë dëshmuar jo vetëm mungesë ndikimi, por edhe paaftësi për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Kjo situatë e rrezikshme nuk prek vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe qytetarët e Kosovës, të cilët përballen me pasiguri dhe padrejtësi sa herë që udhëtojnë në vendin tonë. BDI ka qenë dhe mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj se fletarrestet e lëshuara nga Serbia përmes Interpolit nuk duhet të zbatohen verbërisht nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Gjatë qeverisjes me përfaqësim legjitim shqiptar, ne kemi parandaluar raste të tilla dhe kemi garantuar mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të z. Bajrami dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të rishikojë urgjentisht praktikën e ekzekutimit të fletarresteve të Serbisë. Nuk mund të lejojmë që shteti ynë të bëhet mjet i politikave të Beogradit, në dëm të qytetarëve shqiptarë.”