Mucunski: Me Georgievin kemi folur për zhbllokimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në BE

Maqedonia

Mucunski: Me Georgievin kemi folur për zhbllokimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në BE

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 20:21
Timço Mucunski

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në deklaratë për RTM-në për takimin me homologun e tij bullgar, Georg Georgiev, theksoi se u bisedua për nevojën për të zhbllokuar rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë.

“Ne duam një proces të parashikueshëm, që të ketë një fillim të qartë dhe një fund të qartë. Ne si Qeveri nuk do të pranojmë kurrfarë zgjidhje nën shantazh apo presion ose çfarëdo kompromisi. Çdo kompromis duhet të korrespondojë me realitetin, në të cilin jetojmë dhe me vlerat evropiane, për të cilat Evropa vazhdimisht flet për të gjithë ne në të gjithë rajonin”, tha Mucunski.

Ministri tha se me Georgievin kanë diskutuar për nevojën për të zhbllokuar rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë.

“Kemi folur për nevojën e një rruge të qartë dhe të parashikueshme, që është në kuadër të standardeve dhe parimeve evropiane. Folëm për nevojën e zbatimit të të drejtave të duhura të pakicave në Bullgarinë fqinje, veçanërisht në lidhje me nevojën për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kur Evropa na flet për zbatimin e vlerave evropiane, është e përshtatshme që edhe ne të mbrojmë qëndrimet tona, respektivisht qëndrimet e të gjithë maqedonasve, të cilët jetojnë në çdo vend të botës, përfshirë edhe Bullgarinë fqinje”, theksoi Mucunski.

Mucunski dhe Georgiev u takuan dje në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih. Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, të dy ministrat diskutuan për mosmarrëveshjet dypalëshe, bllokimin e rrugës evropiane të vendit nga Bullgaria dhe pozitën e pakicës maqedonase në Bullgari.

“Ministri Mucunski ka shprehur keqardhje që në vend të zhvillimit të politikës së fqinjësisë së mirë, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ngarkuara me mosmarrëveshje bilaterale, të cilat janë bërë pengesë joparimore për procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë. Ai theksoi se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen me përgjegjësi, përmes dialogut dhe me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore mes tjerash nënkuptojnë edhe mbështetjen për integrimet evropiane si angazhim strategjik i shtetit”, qëndron në kumtesën e Ministrisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat