Çdo i treti qytetar ose 35,2 për qind mendojnë të largohen nga Maqedonia, sipas një sondazhi të opinionit publik të realizuar nga Instituti për hulumtime politike në Shkup.
Interesimin më të madh për largim jashtë vendit tregojnë grupmoshat nga 30 deri në 50 vjeç me arsim të lartë, ku çdo i dyti dëshiron ta kërkojë lumturinë e tij jashtë Maqedonisë, tregojnë analizat e detajuara të shifrave.
Thuhet se 15.9 për qind thonë se arsyeja që duan të lëvizin janë pagat, të ndjekur nga ata që thonë se arsyeja janë mundësitë më të mira për fëmijët, shëndetësia më e mirë, arsimi dhe infrastruktura më e mirë.
Sipas anketës, zgjedhja e parë për destinacion është Gjermania, e zgjedhur nga 11,8 për qind e të anketuarve, Zvicra me 6,9 për qind dhe Sllovenia me 5,2 për qind. Vendet skandinave dhe Shtetet e Bashkuara janë zgjedhjet e pak më shumë se tre përqind të të anketuarve.
10 për qind e të anketuarve thanë se do të largoheshin patjetër nga vendi në 5 vitet e ardhshme.
Një numër i madh i të anketuarve, deri në 64.9 për qind, thonë se kanë një të dashur që tashmë është shpërngulur jashtë vendit. 70 për qind e të anketuarve besojnë se krahasuar me periudhën 5 vite më parë, niveli i emigrimit është në rritje.
Hulumtimi për Detektor është realizuar nga IPIS me anketë telefonike të realizuar nga data 24 deri më 26 janar të këtij viti në një kampion përfaqësues prej 1033 të anketuarve nga i gjithë vendi.