VLEN uron pavarësinë e Kosovës: Marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut më të forta se kurrë

Maqedonia

VLEN uron pavarësinë e Kosovës: Marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut më të forta se kurrë

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e ka uruar Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Nga VLEN thonë se Maqedonia e Veriut ashtu si çdo herë vazhdon ta përkrah dhe të qëndroj afër Kosovës.

“Si një nga vendet e para që njohëm Kosovën, vazhdojmë të qëndrojmë afër Kosovës në çdo proces të saj. Ne, si përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë krah Kosovës, duke ndihmuar në çdo proces që forcon shtetin e saj dhe e afron me integrimet euro-atlantike. Marrëdhëniet tona të ngushta politike, ekonomike dhe kulturore janë themeli i një bashkëpunimi të fortë e afatgjatë”.

“Në këtë drejtim, po punojmë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe bizneseve. Së shpejti do të hapen dy pika të reja kufitare me modelin “One Stop Shop”, i cili do të zvogëlojë pritjet e gjata dhe do të përmirësojë qarkullimin mes dy vendeve tona”.

“Lidhjet tona historike dhe familjare na bëjnë më të afërt se kurrë, ndërsa partneriteti ynë do të vazhdojë të thellohet për të përballuar sfidat rajonale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për shqiptarët kudo që janë. Urime Kosovë!”, thonë nga VLEN.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat