Duke filluar me homazhet tek busti i rektorit të parë të Universitetit të Tetovës Fadil Sulejmani dhe tek varri i dëshmorit të UT-së, Abdylselam Emini, dhe më pastaj duke bërë edhe vizitat tek xhamia e fshatit Poroj, në mektepin e të cilës u mbajt ligjërata e parë, sot Universiteti i Tetovës, ka shënuar manifestimin e 30 vjetorit të ligjëratave të para.
Manifestimi ka vazhduar me akademinë solemne tek hapësirat e universitetit, ku edhe janë dekoruar dekanët e parë të fakulteteve të krijuara aso kohe, si dhe pronari i shtëpisë ku u nënshkrua akti i themelimit të UT-së, në Reçicë të Vogël.
“Ky institucion lindi si rezultat i vizionit përparimtar dhe vendosmërisë së atyre që besuan se dija dhe arsimimi në gjuhën shqipe janë themelet e progresit dhe identitetit tonë kombëtar.
Nuk ishte një rrugë e lehtë por ishte një rrugë e domosdoshme që sot frymëzon gjenerata të reja drejtë dijeve dhe sukseseve akademike”, tha Jusuf Zejneli, Rektor i Universitetit të Tetovës.